Tronditëse: / Prindërit të shqetësuar: Gati gjysma e…

Tronditëse: / Prindërit të shqetësuar: Gati gjysma e…

Të nxitur nga mediat sociale dhe influencerat, fëmijët dhe adoleshentët në Shqipëri po përdorin gjithnjë e më shumë cigaret elektronike, të cilat tregtohen në shkelje të ligjit dhe në dëm të shëndetit të tyre. Enkelejda thotë se mbesa e saj e ka provuar cigaren elektronike për herë të parë në moshën 12-vjeçare dhe prej asaj kohe është një konsumatore e rregullt. Gruaja nga Tirana është e shqetësuar për pasojat në shëndetin e mbesës së saj të mitur, të shfaqura me ankth dhe pagjumësi të shtuar. “Mbesa ime tani e përdor çdo ditë cigaren elektronike. I blen online dhe ka qenë ndikimi i shoqërisë që e ka futur në këtë rrugë,” thotë ajo. Enkelejda nuk është e vetme në këtë shqetësim. Prindërit raportuan gjithashtu se fëmijët e tyre i blejnë këto cigare lirisht në dyqanet e posaçme për VAPE, në markete ose i sigurojnë nga shokët dhe bashkëmoshatarët e tyre. Rreth 66% e prindërve dhe familjarëve besojnë që fëmijët e tyre kanë krijuar varësi nga këto produkte. Ajo që shihet më shqetësuese është fakti se 43% e prindërve kanë raportuar se fëmijët e tyre kanë pasur pasoja për shkak të përdorimit të cigareve elektronike, duke përfshrë ankthin, pagjumësinë apo problemet me frymëmarrjen. Mungesa e kontrollit dhe tregtimi i cigareve elektronike për të rinjtë nën moshën 18 vjeç konsiderohet një problem shqetësues nga ekspertët e kontrollit të duhanit. “Cigaret elektronike kanë tejkaluar në popullaritet cigaret konvencionale,” i tha Faktoje Roland Shuperka, një mjek i angazhuar në luftën kundër duhanit, i cili theksoi se përdorimi mes nxënësve në Shqipëri është disa herë më e lartë se mesatarja botërore. “Këto produkte shiten nga shitësit me pakicë edhe për fëmijët nën moshën 18 vjeç, edhe pse ne ligjin tonë ndalohet shitja e këtyre produkteve për këtë grupmoshë,” shtoi Shuperka.

Lini një Përgjigje