Tregon për Republikën e re Islamike mungesa e Mojtaba Khameneit në varrimin e të atit?

Tregon për Republikën e re Islamike mungesa e Mojtaba Khameneit në varrimin e të atit?

Pikat kryesore

  • Irani e zhvilloi një ceremoni madhështore mortore, e cila zgjati një javë, për udhëheqësin suprem, ajatollah Ali Khamenei, i cili u vra në fillim të luftës me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin.
  • Ngjarjet publike, të organizuara nga shteti, mblodhën qindra mijëra njerëz në mbarë Republikën Islamike.
  • Megjithatë, një njeri ra në sy për mungesën e tij: Mojtaba Khamenei.

Irani e zhvilloi një ceremoni madhështore mortore, e cila zgjati një javë, për udhëheqësin suprem, ajatollah Ali Khamenei, i cili u vra në fillim të luftës me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin. Ngjarjet publike, të organizuara nga shteti, mblodhën qindra mijëra njerëz në mbarë Republikën Islamike. Megjithatë, një njeri ra në sy për mungesën e tij: Mojtaba Khamenei. Djali dhe pasuesi i udhëheqësit shumëvjeçar të Iranit nuk u shfaq gjatë gjithë ceremonive mortore dhe tubimeve përkujtimore që përfunduan më 9 korrik, përcjell A2. Thuhet se Mojtaba Khamenei u plagos në të njëjtin sulm ajror izraelit që vrau të atin, dhe ai nuk është parë në publik qëkurse e mori detyrën si pasues në muajin mars. Sipas ekspertëve, legjitimiteti i Mojtaba Khameneit ka pësuar një tjetër goditje nga mosprania e tij publike, e cila gjithashtu ka nxitur pyetjet se kush e drejton në të vërtetë këtë vend të Lindjes së Mesme me rreth 90 milionë banorë. Sipas autoriteteve, ai nuk mori pjesë në varrimin e të atit për arsye sigurie. “Mungesa e tij ka rëndësi politike, sepse nxjerr në pah dilemën qendrore të trashëgimisë së pushtetit. Mojtaba mund ta trashëgojë postin, por jo autoritetin e të atit,” tha Alex Vatanka, drejtor i Programit për Iranin në Institutin e Lindjes së Mesme me seli në Uashington. Mojtaba Khamenei ishte zgjedhje e kontestueshme për postin e udhëheqësit suprem. Derisa përzgjedhja e tij përfaqësonte vazhdimësi në kohë lufte, ajo zemëroi mbështetës të qeverisë, të cilët argumentonin se trashëgimia familjare e pushtetit binte ndesh me rrënjët antimonarkiste të Revolucionit Islamik të vitit 1979. “Mbajtja e tij larg syrit të publikut mund t’i shmangë këto akuza, por gjithashtu e lë procesin e transferimit të legjitimitetit dukshëm të papërfunduar”, shtoi Vatanka, autor i librit “Beteja e Ajatollahëve në Iran”. “Regjimi mund të organizojë me kujdes vazhdimësinë institucionale, por nuk mund të krijojë autoritet personal brenda natës”, shtoi ai. Për shumë iranianë, Mojtaba Khamenei mbetet figurë enigmatike. Megjithëse 56-vjeçari ka bërë deklarata me shkrim, deri më sot nuk është publikuar asnjë fotografi, video apo regjistrim zanor i tij.

Lini një Përgjigje