Pas një “Prime”-i të mbushur me tensione në Big Brother VIP Albania, situata duket se është përshkallëzuar edhe më tej jashtë transmetimit live. Orët e fundit, në rrjetet sociale kanë qarkulluar materiale të reja audio dhe pamje, të cilat kanë ngjallur reagime të forta nga publiku.
Sipas pretendimeve të familjarëve të Juela, në këto materiale dëgjohet Mateo duke përdorur gjuhë ofenduese dhe denigruese ndaj saj. Konkretisht, ata pretendojnë se ai i është drejtuar me fjalë të rënda, çka është konsideruar si një formë e papranueshme e dhunës verbale.
Të revoltuar nga përmbajtja e materialeve, familjarët e Juelës kanë zgjedhur t’i bëjnë publike këto momente, duke synuar të tërheqin vëmendjen mbi mënyrën se si, sipas tyre, po trajtohet vajza e tyre brenda shtëpisë. Reagimi i tyre ka qenë i menjëhershëm dhe i fortë, duke shtuar presionin publik ndaj situatës.
Ky zhvillim ka ndezur debat të gjerë online, ku një pjesë e publikut kërkon reagim të menjëhershëm nga produksioni, ndërsa të tjerë bëjnë thirrje për verifikim të plotë të materialeve përpara çdo gjykimi përfundimtar.
Deri në këto momente, nuk ka ende një qëndrim zyrtar nga ana e produksionit të Big Brother VIP Albania lidhur me këtë incident. Mbetet për t’u parë nëse kjo situatë do të trajtohet në spektaklet në vijim dhe çfarë masash mund të merren në raport me sjelljen e pretenduar.