Pikat kryesore
- Vlera e stablecoin -ve ka kaluar nga 3 miliardë dollarë në vitin 2019, në gati 300 miliardë sot.
- Dhe, si në shumë iniciativa të Trump, pas kësaj fshihet edhe një interes i drejtpërdrejtë ekonomik.
- Bëhet fjalë për valuta dixhitale që, ndryshe nga kriptovalutat e zakonshme, mbështeten me garanci për të ruajtur gjithmonë një vlerë fikse.
Vlera e stablecoin -ve ka kaluar nga 3 miliardë dollarë në vitin 2019, në gati 300 miliardë sot. Ky boom i jashtëzakonshëm është nxitur edhe nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili jo vetëm ka miratuar ligjin “Genius Act”, që rregullon këtë sektor, por ka bërë të qartë synimin e tij për ta kthyer SHBA-të në qendrën botërore të valutave të reja dixhitale. Dhe, si në shumë iniciativa të Trump, pas kësaj fshihet edhe një interes i drejtpërdrejtë ekonomik. Çfarë janë stablecoin -sat? Bëhet fjalë për valuta dixhitale që, ndryshe nga kriptovalutat e zakonshme, mbështeten me garanci për të ruajtur gjithmonë një vlerë fikse. Sot, 99% e stablecoin -eve në qarkullim janë të lidhura me dollarin dhe investohen kryesisht në bono të Thesarit amerikan. Stablecoin -t në euro mbeten minoritare, me një treg prej vetëm 395 milionë eurosh. Sektori kontrollohet pothuajse tërësisht nga dy gjigantë: Tether (USDT) me 184 miliardë dollarë (63% të tregut) USD Coin (USDC) me 75 miliardë dollarë (26%) Së bashku, ato zënë rreth 90% të tregut global. Sipas Komitetit Konsultativ të Thesarit amerikan (TBAC), vlera e stablecoin -eve mund të arrijë në 2 trilionë dollarë deri në vitin 2028. Banka Citi shkon edhe më tej: në skenarin më optimist, tregu mund të dyfishohet deri në 4 trilionë dollarë në vitin 2030. Shumica e emetuesve të stablecoin -eve investojnë rezervat e tyre në bono afatshkurtra të Thesarit amerikan. Vetëm në 2024-ën, ata blenë 40 miliardë dollarë obligacione. Trump, i cili së bashku me familjen ka investuar në stablecoin -in USD1 përmes kompanisë World Liberty Financial , e ka kuptuar potencialin: Stablecoin -et po kthehen në blerësit e ardhshëm kryesorë të borxhit amerikan, duke rritur kërkesën dhe ulur kostot e interesit për qeverinë. Sot, Tether ka ekspozim prej 135 miliardë dollarësh në bono amerikane, më shumë se Gjermania dhe Arabia Saudite. Megjithatë, bankat qendrore paralajmërojnë se rritja e sektorit rrit ndjeshëm riskun e krizave financiare. Arsyeja? Çdo humbje besimi ndaj emetuesve mund të shkaktojë shitje masive, duke detyruar kompanitë të likuidojnë me urgjencë asetet e tyre, përfshirë bonot e Thesarit. Kjo do të shkaktonte rritje të fortë të normave të interesit dhe do të trondiste tregjet tradicionale. Ekspertët kujtojnë shembullin dramatik të vitit 2022, kur stablecoin -i Terra USD u shemb nga 1 dollar në vetëm 0.07 dollarë brenda pak ditësh, duke fshirë dhjetëra miliarda. Edhe Tether dhe USDC kanë kaluar episode destabilizimi, përfshirë “shkëputjet” nga vlera fikse dhe panikun e shkaktuar nga kriza të tjera në tregun e kriptovalutave. Sipas Bankës së Rregullimeve Ndërkombëtare, një krizë e një prej dy stablecoin -eve kryesorë, USDT apo USDC, do të përhapej me shpejtësi në tregjet e kriptove, valutave dhe obligacioneve shtetërore, duke nxitur një efekt domino në gjithë financën globale. Dhe rreziku rritet çdo vit, ndërsa sektori i afrohet shifrave kolosale prej 2 trilionë dollarësh.