Spiropali vizitë zyrtare në Athinë/ Do të pritet nga presidenti grek, ministri i Jashtëm…

Spiropali vizitë zyrtare në Athinë/ Do të pritet nga presidenti grek, ministri i Jashtëm…

Pikat kryesore

  • Vizita e Ministres Spiropali do të nisë nesër në Presidencën greke, ku do të pritet nga Presidenti i Republikës, Konstantinos Tasoulas, në orën 12:00.
  • Në orën 12:45, Spiropali do të ketë një takim dypalësh me homologun e saj Gerapetritis, të fokusuar në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë.
  • Ministrat do të diskutojnë çështjet e mbetura pezull mes dy vendeve me frymën e mirëkuptimit mes palëve.

Me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Greqisë, George Gerapetritis, Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Athinë, në dy ditët e ardhshme, 16 dhe 17 Dhjetor. Vizita e Ministres Spiropali do të nisë nesër në Presidencën greke, ku do të pritet nga Presidenti i Republikës, Konstantinos Tasoulas, në orën 12:00. Në orën 12:45, Spiropali do të ketë një takim dypalësh me homologun e saj Gerapetritis, të fokusuar në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë. Spiropali do të ndalet te rëndësia e mbështetjes së vazhdueshme të Greqisë për procesin e integrimit europian të Shqipërisë dhe për të avancuar idenë e një hapësire të përbashkët europiane në rajonin tonë, ku vendet e Ballkanit Perëndimor të trajtohen si një tërësi strategjike. Ministrat do të diskutojnë çështjet e mbetura pezull mes dy vendeve me frymën e mirëkuptimit mes palëve. Pas takimit, Ministrat do të mbajnë një deklaratë të përbashkët për shtyp rreth orës 14:30. Në qendër të bisedimeve do të jetë edhe komunitetiti shqiptar në Greqi, si dhe nevoja për përshpejtimin e negociatave drejt nënshkrimit të marrëveshjes së shumëpritur për mbrojtjen sociale, që përfshin njohjen e pensioneve për qytetarët e të dy vendeve. Në 16:00, Ministrja do të zhvillojë një bashkëbisedim me akademikë dhe ekspertë të Fondacionit Helenik për Politikën e Jashtme dhe Europiane (ELIAMEP) me fokus rrugëtimin europian të Shqipërisë. Në 19:00, Spiropali do të takohet me komunitetin shqiptar në Greqi, në një pritje të organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Athinë. Mëngjesin e së mërkurës, në orën 09:00, Spiropali do të takohet me Ministrin e Mbrojtjes, Niko Dendias. Në orën 09:45, Spiropali do të takohet me përfaqësues të bizneseve dhe sipërmarrjeve që operojnë mes Shqipërisë dhe Greqisë, për potencialin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve. Vizita e Ministres do të përmbyllet me në një takim Ambasadorët e vendeve të BE, si dhe Ambasadorët e akredituar në Shqipëri, me rezidencë në Athinë, rreth orës 12.30, të fokusuar në perspektivën europiane të vendit tonë.

Lini një Përgjigje