Pikat kryesore
- Nga Eduard Zaloshnja Qysh nga fillimi i Reformës në Drejtësi një dekadë më parë, disa pyetje të shkëputura rreth sistemit të ri të drejtësisë janë përfshirë në sondazhe kombëtare.
- Me pak fjalë, SPAK është kryefjala e Reformës në Drejtësi në sondazhet e kryera deri më sot.
- Dhe opinioni pozitiv për SPAK-un luhatet rrotull 67-përqindëshit.
Nga Eduard Zaloshnja Qysh nga fillimi i Reformës në Drejtësi një dekadë më parë, disa pyetje të shkëputura rreth sistemit të ri të drejtësisë janë përfshirë në sondazhe kombëtare. Anketa Kombëtare e IDRA-s (financuar nga IRI) përfshinte një pyetje për SPAK; Barometri i Sigurisë Shqiptare i CSDG-së (financuar nga FES) përfshinte tre pyetje për SPAK; Barometri i Data Centrum (financuar nga Albania) përfshinte një pyetje për SPAK; ‘Termometri Politik’ (financuar nga Report TV) përfshinte dy pyetje për SPAK dhe Gjykatën Kushtetuese; dhe së fundmi, ‘Zëri i Shqiptarëve’ (financuar nga Albania) përfshinte tre pyetje për SPAK. Me pak fjalë, SPAK është kryefjala e Reformës në Drejtësi në sondazhet e kryera deri më sot. Dhe opinioni pozitiv për SPAK-un luhatet rrotull 67-përqindëshit. Po disa pyetje mbeten me pikëpyetje të pambyllura për SPAK-un. • A do t’i shkohet deri në fund ndëshkimit të zyrtarëve të lartë që urdhëruan vrasjen e 4 protestuesve me duar në xhepa (dhe plagosjen e disa të tjerëve) më 21 janar 2011? • A do t’i shkohet deri në fund ndëshkimit të zyrtarëve të lartë që lejuan tragjedinë e Gërdecit (ku humbën jetën 26 shqiptarë dhe u plagosën qindra të tjerë)? • A do t’i shkohet deri në fund ndëshkimit të zyrtarëve të lartë që i mundësuan kompanisë energjetike çeke Çez të zhvaste qytetarët shqiptarë? • A do t’i shkohet deri në fund ndëshkimit të zyrtarëve të lartë që lejuan kompaninë e naftës Bankers Petrolium t’i shmangej pagimit të qindra milionë eurove shtetit shqiptar? • A do t’i shkohet deri në fund ndëshkimit të zyrtarëve të lartë që mundësuan skemën mashtruese të ndërtimit të inceneratorëve në Elbasan, Fier dhe Tiranë? • A do t’i shkohet deri në fund ndëshkimit të zyrtarëve të lartë që mundësuan projekte rrugore mbi koston normale të tyre?