
Një hetim i publikuar së fundmi nga BBC ka zbuluar një skandal të rëndë ndërkombëtar që ka përfshirë 14 vende të Europës, duke përfshirë edhe Shqipërinë. Sipas raportit, klinika fertiliteti në disa shtete kanë përdorur spermën e një dhuruesi danez, i cili mbante një mutacion të rrallë gjenetik, të lidhur drejtpërdrejt me zhvillimin e formave agresive të kancerit. Nga ky dhurues janë mundësuar të paktën 197 lindje, ndërsa disa fëmijë tashmë janë diagnostikuar me sëmundje të rënda.
Mutacioni i rrezikshëm që rrit deri në 90% shanset për kancer
Dhuruesi, pa dijeninë e tij, rezulton të ketë pasur një mutacion në gjenin TP53, i cili shkakton sindromën Li-Fraumeni. Bëhet fjalë për një çrregullim shumë të rrallë që rrit deri në 90% rrezikun për zhvillimin e tumoreve malinje gjatë jetës, që nga fëmijëria e hershme deri në moshë të rritur.
Ky mutacion lidhet me kanceret më agresive si:
tumoret e fëmijërisë, kanceri i gjirit, tumore të trurit, kanceri i kockave, leucemitë.
Ekspertët thonë se individët me këtë mutacion duhet të mbahen nën monitorim të vazhdueshëm gjatë gjithë jetës.
Fëmijë të prekur, disa raste me fatalitet
Raportimet e BBC thonë se disa nga fëmijët e lindur nga ky dhurues tashmë janë diagnostikuar me kancer agresiv që në moshë të hershme. Disa prej tyre kanë ndërruar jetë, duke ngritur shqetësimin e madh për pasojat që pritet të shfaqen në vitet e ardhshme te fëmijët e tjerë që kanë ardhur në jetë përmes këtij dhuruesi.
Materiali gjenetik u shpërnda në 67 klinika, përfshirë edhe ato që furnizojnë Shqipërinë
Hetimi tregon se sperma është shpërndarë në 67 klinika fertiliteti në vendet:
Danimarkë, Belgjikë, Spanjë, Gjermani, Greqi, Poloni, Irlandë, Maqedoni e Veriut, Serbi, Hungari, Gjeorgji, Islandë, Qipro dhe Shqipëri.
Vendi më i prekur rezulton të jetë Belgjika, ku vetëm nga ky dhurues janë regjistruar 53 fëmijë të lindur nga 38 gra.
A duhet të shqetësohen familjet shqiptare? Çfarë thonë ekspertët
Sipas specialistëve të gjenetikës, çdo familje që ka kryer IVF jashtë vendit ose në klinika që përdorin banka ndërkombëtare sperme nga Danimarka, duhet të informohet dhe, nëse është e nevojshme, të kryejë testime gjenetike të fëmijëve.
Ekspertët theksojnë se nuk duhet panik, por informim dhe kontroll, pasi jo çdo fëmijë që lind nga një prind me mutacion TP53 zhvillon automatikisht kancer, megjithëse rreziku është shumë i lartë.