SKANDAL/ 15.000 kg mish pule me salmonelë u konsumua nga shqiptarët. AKU fsheh shkeljet e rënda

Pasiguria ushqimore në Shqipëri ka arritur nivele alarmante. Dështimi i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) për të kontrolluar mishin që tregtohet ka sjellë një skandal të rëndë, ku qytetarët në supermarkete, markete dhe restorante kanë konsumuar mish pule të infektuar me bakterin e salmonelës.

Sipas burimeve për ‘Ora Investigim’, më 11 mars 2025 në portin e Durrësit është importuar 19.000 kg mish pule nga Brazili. Në etiketimin e produktit figuron se data e skadencës ishte 13 dhjetor 2026.

AKU Lejon Daljen në Treg Pa Rezultatet e Analizave

Sipas procedurave standarde, inspektorët e AKU-së në doganë duhet të marrin mostra të mishit të importuar dhe t’i dërgojnë për analiza. Deri në daljen e rezultateve, ky produkt duhet të qëndrojë i bllokuar. Por, në këtë rast, pa pritur përgjigjen e analizave, subjekti importues ka marrë lejen për ta shpërndarë mishin në treg.

Rezultatet e analizave, të cilat dolën me 5 ditë vonesë nga laboratori i Ministrisë së Bujqësisë, tregojnë se 19.000 kg mish pule ishin të infektuara me salmonelë. Pavarësisht kësaj, AKU nuk e bllokoi menjëherë produktin, duke bërë që 15.000 kg mish të kontaminuar të konsumohen nga qytetarët.

AKU Tentoi të Fshehë Skandalin

Në vend që të merrte masa për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve, AKU ka ndërmarrë veprime për të minimizuar skandalin dhe për të mos e ekspozuar publikisht. Pas marrjes së rezultateve të analizave, inspektorët kanë kërkuar tërheqjen e produktit nga tregu, por në mënyrë të vonuar dhe të paefektshme.

Sipas burimeve të ‘Ora Investigim’, nga 19.000 kg mish i kontaminuar, janë bllokuar vetëm 4.000 kg, ndërsa 15.000 kg rezulton të jetë shitur dhe konsumuar nga qytetarët. Përpjekjet për të gjurmuar destinacionin e mishit të shitur janë penguar nga përfaqësuesi i subjektit importues, i cili ka refuzuar të dorëzojë faturat e shpërndarjes.

Papërgjegjshmëria Institucionale që Rrezikon Jetën e Qytetarëve

Kreu i AKU-së, Manush Kullolli, vijon të heshtë për këtë çështje, ndërsa lidhjet mes biznesmenëve dhe inspektorëve të AKU-së po bëjnë që kontrollet të jenë të pavlefshme dhe të manipuluara. Në një kohë kur siguria ushqimore duhet të jetë prioritet absolut, kjo situatë tregon një dështim të rëndë të institucioneve përgjegjëse dhe një rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin e qytetarëve shqiptarë.

Skandali i mishit të kontaminuar me salmonelë tregon edhe njëherë se mungesa e transparencës dhe zbatimi selektiv i ligjit po e vendosin në rrezik jetën e konsumatorëve. Ndërkohë që përgjegjësit mbeten të pandëshkuar, qytetarët vazhdojnë të jenë viktima të kësaj papërgjegjshmërie institucionale.

Lini një Përgjigje