Pikat kryesore
- Në podkasin e tij “Flasim”, kryeministri i vendit Edi Rama, ka deklaruar se siguria është prioritet në vijim, si pjesë e procesit të integrimit të vendit.
- Rama u ndal te nevoja për garantimin e cilësisë dhe sigurisë së produkteve ushqimore, duke theksuar se objektivi nuk lidhet vetëm me konsumatorin vendas, por edhe me tregun e përbashkët europian.
- Sipas tij, sfida kryesore është krijimi i një sistemi të plotë kontrolli dhe cilësie, që përfshin të gjithë zinxhirin e prodhimit, nga bujqësia dhe blegtoria deri te përpunimi dhe paketimi i produkteve ushqimore.
Në podkasin e tij “Flasim”, kryeministri i vendit Edi Rama, ka deklaruar se siguria është prioritet në vijim, si pjesë e procesit të integrimit të vendit. Rama u ndal te nevoja për garantimin e cilësisë dhe sigurisë së produkteve ushqimore, duke theksuar se objektivi nuk lidhet vetëm me konsumatorin vendas, por edhe me tregun e përbashkët europian. “Si do të garantojmë që çdo produkt që konsumojnë qytetarët, jo thjesht të jetë i sigurt, por të jetë një produkt i pranuar dhe i suksesshëm në tregun e nesërm të përbashkët të Europës, ku ne do të jemi anëtarë me të drejta, por edhe me detyrime të barabarta. Dhe kjo lidhet me një sfidë aktuale më të ndërlikuar të procesit tonë të anëtarësimit në Bashkimin Europian, që është sigurimi i të nesërmes për të gjithë ata, të cilët kanë ndërtuar të sotmen mbi themelet e një pike grumbullimi, përpunimi apo prodhimi të nënprodukteve ushqimore, që do të thotë që nga gjëja e gjallë deri te produktet e paketuara ”, tha Rama. Sipas tij, sfida kryesore është krijimi i një sistemi të plotë kontrolli dhe cilësie, që përfshin të gjithë zinxhirin e prodhimit, nga bujqësia dhe blegtoria deri te përpunimi dhe paketimi i produkteve ushqimore. “Një proces që shpesh keqkuptohet si një listë detyrash që duhen përmbushur për të tjerët, ndërkohë që në thelb është diçka që lidhet drejtpërdrejt, jo thjesht vetëm me shëndetin e shqiptarëve këtu në Shqipëri, e konsumatorëve këtu në Shqipëri, por edhe me misionin tonë të përbashkët kombëtar të Shqipërisë në Bashkimin Europian në vitin 2030. Nuk është një çështje rregullash në letër, është një çështje e ndërtimit bashkërisht të një sistemi funksional prodhimi, kontrolli, cilësie dhe besimi në çdo hallkë. Në këtë fazë, Shqipëria nuk bën vetëm harmonizimin ligjor me Bashkimin Europian, por edhe duhet të sigurojë zbatimin konkret të ligjeve në realitetin e përditshëm. E prandaj, ne po ndërveprojmë dhe do të ndërveprojmë gjithmonë e më aktivisht me sipërmarrësit dhe sipërmarrjet në bujqësi, sipërmarrësit dhe sipërmarrjet që kanë të bëjnë me produktet shtazore dhe nënproduktet e tyre, sipërmarrësit dhe sipërmarrëset që kanë të bëjnë me gjithçka që sot del nga toka e Shqipërisë, falë punës dhe duarve të tyre të arta” , u shpreh Rama.