Pikat kryesore
- Rama deklaroi se Shqipëria ndodhet në një moment historik në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke shprehur bindjen se objektivi është tashmë më i arritshëm se kurrë.
- “Kam frikë se edhe shkrimi i historisë pas 30 vitesh do të jetë tjetër.
- Për herë të parë jemi në kushtet që ëndrra e anëtarësimit në Bashkimin Europian të bëhet realitet.
Kryeministri Edi Rama, gjatë bashkëbisedimit me të rinjtë në Jalë, u ndal te procesi i integrimit europian, marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut dhe punësimet në administratën publike, duke i cilësuar këto si pjesë të një etape të rëndësishme për vendin. Rama deklaroi se Shqipëria ndodhet në një moment historik në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke shprehur bindjen se objektivi është tashmë më i arritshëm se kurrë. “Kam frikë se edhe shkrimi i historisë pas 30 vitesh do të jetë tjetër. Për herë të parë jemi në kushtet që ëndrra e anëtarësimit në Bashkimin Europian të bëhet realitet. E kam besuar këtë kur dukej e pamundur dhe e besoj edhe më shumë sot, kur mbërritja duket me sy. Nëse kjo ndodh, historia do të sillet mirë me ne”, tha kryeministri. Duke folur për marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut, Rama theksoi se Shqipëria ka interes strategjik që raportet mes dy vendeve të jenë sa më të mira, ndërsa vlerësoi progresin e arritur në vitet e fundit. Sipas tij, zhvillimi demokratik nuk është një proces linear dhe çdo shtet përballet me sfida, por Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë Shkupin në rrugën e integrimit europian. “Shqipëria ka gjithë interesin që marrëdhëniet mes dy popujve dhe dy vendeve të jenë harmonike. Janë bërë përparime shumë të mëdha. Kam qenë gjithmonë i mendimit se vetot në procesin e integrimit nuk i shërbejnë askujt, por janë pengmarrje”, u shpreh Rama. Kryeministri komentoi edhe rolin e algoritmeve dhe rrjeteve sociale, duke thënë se ato nuk krijojnë problemet, por vetëm i amplifikojnë ato. “Problemet nuk i krijon algoritmi, por i karakterizon sipas natyrës së tyre. Dikur kishim thashethemin, sot ai është bërë global dhe dixhital”, tha ai. Në fund, Rama u ndal te administrata publike, duke vlerësuar nivelin e shërbimit civil dhe procesin e rekrutimit të të rinjve. Sipas tij, suksesi i Shqipërisë në negociatat me Bashkimin Europian lidhet edhe me cilësinë e administratës, ndërsa theksoi se të rinjtë e punësuar kanë hyrë në institucionet shtetërore mbi bazën e meritës. “Numri i vajzave dhe djemve që janë punësuar në administratë kanë ardhur nga programet e ekselencës. Ata janë pjesë e administratës sepse e kanë merituar”, përfundoi Rama. Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! Zjarr në një pallat në Korçë, humb jetën 74-vjeçari Ruajuni nga ata që nuk ju çojnë në gjykatë për terrorizëm! Rama: Shqipëria është më pranë se kurrë BE-së, Diella ka përshpejtuar punën!