Pikat kryesore
- Shkolla e re 9-vjeçare në Astir do të jetë gati për vitin e ri shkollor.
- Lajmi është dhënë gjatë inspektimit të punimeve nga kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, e cila dha detajet e ecurisë së këtij investimi të shumëpritur për banorët e zonës.
- Është një shkollë e shumëkërkuar e cila ka ecur tej mase mirë dhe me gjithë përpjekjet e mundshme do të bëjmë të mundur që të jetë e gatshme për vitin e ri shkollor 2026-2027”, deklaroi Ristani.
Një shkollë e re 9-vjeçare në zonën e Astirit pritet të jetë gati për vitin e ri shkollor 2026-2027, duke i dhënë fund mungesës së gjatë të infrastrukturës arsimore në këtë zonë me densitet të lartë banorësh.
Lajmi është bërë i ditur gjatë inspektimit të punimeve nga kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, e cila theksoi se projekti po ecën me ritme të kënaqshme dhe synon të përfundojë në kohë.
Sipas saj, shkolla do të akomodojë rreth 1000 nxënës dhe përfaqëson një investim të rëndësishëm për komunitetin, duke qenë ndër projektet më të kërkuara nga banorët e zonës. Përveç klasave për arsimin bazë, godina do të përfshijë edhe dy klasa për parashkollorët, të cilat do të lidhen me një kopsht të ri që pritet të ndërtohet në afërsi.
Objekti, i vendosur në rrugën “Muharrem Çaushi”, do të ketë një sipërfaqe ndërtimi prej rreth 6,397 m² dhe do të zhvillohet në tre kate me arkitekturë moderne. Ai do të përfshijë 28 klasa mësimi, laboratorë, bibliotekë, palestër, sallë multifunksionale, si dhe ambiente të dedikuara për fëmijët me aftësi ndryshe.
Po ashtu, projekti parashikon hapësira rekreative dhe sportive, përfshirë një tarracë të gjelbëruar, duke synuar të krijojë jo vetëm një institucion arsimor, por edhe një qendër komunitare funksionale për zonën.
Shkolla është konceptuar me standarde bashkëkohore dhe me akses të plotë për personat me aftësi të kufizuar, duke garantuar kushte optimale për nxënësit dhe stafin arsimor.