Pikat kryesore
- Reshjet e shiut dhe moti i paqëndrueshëm kanë sjellë problematika të izoluara në disa bashki të veriut.
- Situata më problematike raportohet në Bashkinë Shkodër, ku si pasojë e reshjeve është shembur një pjesë e rrugës në aksin Ura e Shtrejtë–Prekal, në vendin e quajtur “Shkallë Logje”.
- Autoritetet kanë vendosur sinjalistikë dhe kanë bllokuar qarkullimin në këtë aks për të shmangur rrezikun për drejtuesit e mjeteve, ndërsa po punohet për vlerësimin e dëmit dhe normalizimin e lëvizjes.
Reshjet e shiut dhe moti i paqëndrueshëm kanë sjellë problematika të izoluara në disa bashki të veriut. Situata më problematike raportohet në Bashkinë Shkodër, ku si pasojë e reshjeve është shembur një pjesë e rrugës në aksin Ura e Shtrejtë–Prekal, në vendin e quajtur “Shkallë Logje”. Autoritetet kanë vendosur sinjalistikë dhe kanë bllokuar qarkullimin në këtë aks për të shmangur rrezikun për drejtuesit e mjeteve, ndërsa po punohet për vlerësimin e dëmit dhe normalizimin e lëvizjes. Ndërkohë, borëpastrueset kanë qenë gjatë gjithë natës në punë për mbajtjen e hapur të aksit Qafë Thore–Theth. *Në Bashkinë Malësi e Madhe reshjet kanë pushuar. Tre borëpastruese ndodhen në aksin Tamarë–Vermosh, ku ka prani ngricash dhe po kryhet kriposja për të garantuar qarkullimin. *Në Bashkinë Vau i Dejës reshjet e shiut janë ndërprerë, por në disa njësi administrative janë shënuar shkëputje të energjisë elektrike. Grupet e punës ndodhen në terren për riparimin e defekteve. *Në Bashkinë Fushë-Arrëz vijojnë reshjet e shiut me intensitet të lartë. Raportohet për rënie gurësh dhe dherash në rrugët rurale, por akset mbeten të kalueshme dhe qarkullimi kryhet pa probleme. *Edhe në Bashkinë Pukë reshjet e shiut vijojnë, të shoqëruara me erë të fortë, por deri tani nuk raportohen problematika.