Shabani në burgun e Reçit: Të dënuarit po penalizohen padrejtësisht nga burokracitë

Shabani në burgun e Reçit: Të dënuarit po penalizohen padrejtësisht nga burokracitë

Pikat kryesore

  • Një ekip nga zyra e Avokatit të Popullit po inspekton prej tre ditësh një nga burgjet më të mëdha në vend, atë të Reçit në Shkodër.
  • ​Sot, këtë institucion e vizitoi edhe vetë Avokati i Popullit, Endrit Shabani, i shoqëruar nga Komisioneri për Parandalimin e Torturës, Ahmet Prençi.
  • Ata panë nga afër kushtet e rrethimit, si dhe zhvilluan biseda me të dënuarit dhe stafin e burgut.

Një ekip nga zyra e Avokatit të Popullit po inspekton prej tre ditësh një nga burgjet më të mëdha në vend, atë të Reçit në Shkodër. ​Sot, këtë institucion e vizitoi edhe vetë Avokati i Popullit, Endrit Shabani, i shoqëruar nga Komisioneri për Parandalimin e Torturës, Ahmet Prençi. Ata panë nga afër kushtet e rrethimit, si dhe zhvilluan biseda me të dënuarit dhe stafin e burgut. ​Në një komunikim për mediat pas vizitës, Avokati i Popullit vuri theksin te faktet se, ndonëse Burgu i Reçit është një strukturë e re, ai vijon të vuajë nga mangësitë e vjetra të sistemit, i cili dështon të ofrojë shërbime të mirëfillta rehabilituese për të dënuarit. ​”Të dënuarit nuk mund të ngecin brenda rrjetës së kriminalizimit. Ata duhet të kenë mundësi të ndjekin programe sociale dhe edukuese që e bëjnë rikthimin e tyre në shoqëri të pranueshëm,” u shpreh Shabani. ​Duke iu referuar ankesave dhe rasteve të vdekjeve në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP), Avokati i Popullit kërkoi investime të menjëhershme në infrastrukturë. Sipas tij, kjo do të garantonte kushte më humane dhe shërbime shëndetësore reale, si për të dënuarit, ashtu edhe për efektivët dhe punonjësit e këtyre institucioneve. ​Endrit Shabani u ndal gjithashtu te zbatimi në praktikë i ligjit për amnistinë, duke denoncuar një hallkë burokratike që po penalizon të burgosurit. ​”Me keqardhje konstatojmë se, pavarësisht vërejtjeve tona që në fillim, ka të dënuar që nuk po përfitojnë nga amnistia edhe pse i plotësojnë kriteret. Kjo ndodh vetëm sepse vendimet e tyre gjyqësore nuk janë zbardhur brenda afateve. Kjo është një padrejtësi e madhe ndaj tyre dhe familjeve të tyre,”- deklaroi Avokati i Popullit. ​Inspektimi në burgun e Reçit do të vijojë edhe gjatë ditës së nesërme. Në përfundim të tij, Institucioni i Avokatit të Popullit do të bëjë publike të gjitha gjetjet dhe rekomandimet zyrtare.

Lini një Përgjigje