Pikat kryesore
- Në një vend ku infrastruktura rrugore shpesh përdoret si tregues i zhvillimit ekonomik, aksi dytësor që lidh Tiranën me Vorën mbetet një shembull i qartë i një politike investimesh të paorientuara nga nevojat reale.
- Në pamje të parë, bëhet fjalë për një rrugë periferike, jo pjesë e korridoreve kryesore kombëtare.
- Por në thelb, kjo rrugë është një arterie jetike për një zonë me aktivitet të lartë ekonomik, ku operojnë dhjetëra biznese prodhuese dhe subjekte me kontribut të konsiderueshëm në të ardhurat tatimore të vendit.
Në një vend ku infrastruktura rrugore shpesh përdoret si tregues i zhvillimit ekonomik, aksi dytësor që lidh Tiranën me Vorën mbetet një shembull i qartë i një politike investimesh të paorientuara nga nevojat reale. Në pamje të parë, bëhet fjalë për një rrugë periferike, jo pjesë e korridoreve kryesore kombëtare. Por në thelb, kjo rrugë është një arterie jetike për një zonë me aktivitet të lartë ekonomik, ku operojnë dhjetëra biznese prodhuese dhe subjekte me kontribut të konsiderueshëm në të ardhurat tatimore të vendit. Gjendja aktuale e kësaj rruge është, pa ekzagjerim, skandaloze. Gropat e thella dhe mungesa e theksuar e mirëmbajtjes e kanë kthyer këtë segment në një rrezik të përditshëm për drejtuesit e mjeteve dhe për bizneset që zhvillohen përgjatë rrugës. Në një kohë kur diskutohet për investime miliona euro në akse të reja, dhe po shpenzohen aktualisht 300 milion euro për zgjerimin e autostradës përkrah, kjo rrugë ekzistuese lihet në harresë, duke prodhuar një paradoks të fortë: ekonomia gjeneron vlerë, por infrastruktura nuk e mbështet atë. Ky fenomen nuk është i izoluar. Ai pasqyron një problem më të gjerë në mënyrën se si planifikohen dhe realizohen investimet publike në Shqipëri. Pra, investime që turpshëm vendosen jo nga qendrat studimore, por nga kafet ministrore. Në këtë kuptim, rasti i aksit Tiranë–Vorë është një ilustrim klasik i një politike joefikase: një rrugë që mund të ishte ruajtur me kosto relativisht të ulët, sot kërkon ndërhyrje shumë më të shtrenjta për t’u rikthyer në standard. Dhe kjo sepse projektet infrastrukturore janë të orientuara nga prioritete politike afatshkurtra dhe jo nga analiza të mirëfillta kosto–përfitim. Ironia qëndron në faktin se shumë nga bizneset që operojnë përgjatë kësaj rruge janë kontribues të rëndësishëm në buxhetin e shtetit. Pra, kemi një cikël të çuditshëm: shteti mbledh të ardhura nga këto subjekte, por nuk rikthen investime në infrastrukturën që i shërben drejtpërdrejt aktivitetit të tyre. Kjo krijon një ndjenjë të justifikuar padrejtësie sepse ekspozon një model qeverie ku mbledhja e taksave funksionon në mënyrë të admirueshme, por kthimi i tyre në shërbime publike mbetet gjithmonë i munguar.