Gazetarja e njohur shqiptare, Mira Kazhani, ka ndarë publikisht historinë e saj më të dhimbshme, duke zbuluar se është duke luftuar prej një viti me kancerin e gjirit.
Në një rrëfim prekës, Kazhani tregoi se diagnostikimi i saj ka ndryshuar përgjithmonë jetën. “U diagnostikova me kancer në gji dhe që prej asaj dite gjithçka ndryshoi përgjithmonë. Në podcaste keni parë vetëm gjysmën time, ndërsa pjesa tjetër zhvillohej në një betejë të gjatë me sëmundjen”, tha ajo.
Gazetarja shtoi se në atë periudhë zgjodhi të heshtë dhe të përqendrohej te shërimi i saj, duke mos dashur të bëhej lajm në rrjet. Ajo shprehu mirënjohje të madhe për kolegët, të cilët e respektuan situatën duke mos e bërë publike, gjë që i dha asaj qetësi dhe mbrojti prindërit nga shqetësimi.
“Sot ndihem mirënjohëse ndaj kolegëve të mi që e mësuan situatën time e që nuk e shpërndanë lajm, duke më sjellë qetësi mua e duke mos shqetësuar prindërit e mi që nuk e dinin se çfarë po kalonte fëmija i tyre. Tani e dinë se çfarë kisha”, rrëfeu Kazhani.
Ky zbulim ka prekur thellë publikun, duke sjellë një mesazh të fortë mbi fuqinë e heshtjes, kurajos dhe mirënjohjes në përballjen me një sëmundje kaq të rëndë.