Reforma e re territoriale, alternativa e qeverisjes me Rajone. Si ka ndryshuar ekonomia…

Reforma e re territoriale, alternativa e qeverisjes me Rajone. Si ka ndryshuar ekonomia…

Pikat kryesore

  • Reforma e re territoriale, alternativa e qeverisjes me Rajone.
  • Teksa debati për ndryshimet ka nisur, ekspertët mendojnë se në kuadër të integrimit të vendit në BE qeveria duhet të kthejë rajonet Veri, Qendër dhe Jug (NUTS 2) në njësi të mirëfillta administrative.
  • Në vitin 2014, kur nisi zbatimi i reformës së re territoriale, rajoni i Veriut kontribuoi me 23.6% të PBB-së së vendit, ndërsa në 2021, kur datojnë të dhënat e fundit, ishte 22,3%.

Reforma e re territoriale, alternativa e qeverisjes me Rajone. Si ka ndryshuar ekonomia pas vitit 2024 Nisma për një reformë të re territoriale nga qeveria shihet nga ekspertët si një mundësi për të rikthyer qeverisjen me tre ose dy rajone të mëdha Veri-Jug, në vend të 12 qarqeve që ekzistojnë vetëm në letër, pa kompetenca dhe me kosto të larta administrative. Rajonet e Veriut, të Qendrës dhe të Jugut, që tani shërbejnë vetëm për qëllime statistikore, po të kthehen në njësi qeverisje apo agjenci zhvillimi, do ta afrojnë Shqipërinë me standardet e qeverisjes rajonale të Bashkimit Europian dhe do të ndihmojnë në thithjen e fondeve të kohezionit nga BE. Si mund të bëhen funksionale rajonet. Modeli slloven, më i përshtatshëm Shërbimet vendore ndaj qytetarëve janë përkeqësuar me ndarjen e re territoriale të vitit 2015, ndaj qeveria ka njoftuar planin e saj për ndryshime të reja që synojnë rikategorizimin e bashkive dhe mënyra të reja administrimi për disa funksione. Teksa debati për ndryshimet ka nisur, ekspertët mendojnë se në kuadër të integrimit të vendit në BE qeveria duhet të kthejë rajonet Veri, Qendër dhe Jug (NUTS 2) në njësi të mirëfillta administrative. Aktualisht, Shqipëria është e ndarë në tre rajone, Veriu (Shkodër, Lezhë, Kukës, Dibër, Durrës), Qendra (Elbasan dhe Tiranë), Jugu (Fier, Berat, Korçë, Gjirokastër, Vlorë), të cilat shërbejnë vetëm për harmonizimin e të dhënave me Eurostat dhe për matjen e zhvillimit ekonomik, por nuk kanë as kompetenca administrative, as buxhete të pavarura. Krijimi i agjencive të zhvillimit për secilin nga rajonet, Veri, Qendër dhe Jug do të zbuste diferencat ekonomike dhe do të ndihmonte për një përthithje më të mirë të fondeve të kohezionit, tha eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa. Në vitin 2014, kur nisi zbatimi i reformës së re territoriale, rajoni i Veriut kontribuoi me 23.6% të PBB-së së vendit, ndërsa në 2021, kur datojnë të dhënat e fundit, ishte 22,3%. Rajoni i qendrës me vetëm dy qarqe, Tiranën dhe Elbasanin, kontribuoi me 47% të PBB në vitin 2015, teksa 10 vite më pas, pesha e tyre në ekonominë e vendit u zgjerua më tej duke arritur në 50% të totalit. Pesha e Rajonit të Jugut në PBB-në e vendit ishte 29.4% në vitin 2024, ndërsa në vitin 2021 ishte 27.1%. Rënia e fortë e kontributit në ekonomin e Jugut -2.2 pikë % gjatë 6 viteve lidhet me uljen e kontributit të Qarkut të Fierit. Mbyllja e ARMO-s, ndërmarrjes shtetërore të përpunimit të naftës dhe falimenti i shërbimeve të lidhura me të, ndikoi negativisht të gjithë ekonominë e Rajonit të Jugut. Të dhënat tregojnë se rritja ekonomike gjatë këtyre viteve nuk është ndarë në mënyrë të barabartë mes rajoneve. Tendenca është në linjë me zhvendosjen e popullsisë dhe investimeve drejt kryeqytetit dhe zonave përreth duke lënë në hije zhvillimin e qëndrueshëm të Veriut dhe Jugut. Për ilustrim, Qarku i Kukësit, më i varfri në vend për konsumin për frymë të popullatës dhe përqindjen më të lartë të personave në varfëri ekstreme, është më i pasuri me burime natyrore, prodhim energjie dhe minerale. Agjencitë rajonale mund të zhvillojnë më shumë kapacitete për të menaxhuar projekte të mëdha që ndryshojnë infrastrukturën në krahasim me bashkitë e sotme, thotë z. Xhepa. Ekspertët sugjerojnë se modeli i Sllovenisë duket i përshtatshëm për ne, pasi është një vend me popullsi të vogël dhe funksionon me qeverisje vendore të bazuar në dy rajone të mëdha dhe me mbi 200 njësi më të vogla vendore që ofrojnë shërbime shumë afër komuniteteve. “Reforma e vitit 2014 e vendosi Shqipërinë në të njëjtën linjë me vendet që kanë ndjekur një qasje të centralizuar të konsolidimit territorial. Por ndikimet në fusha të tjera, si cilësia e shërbimeve, pjesëmarrja qytetare apo zhvillimi ekonomik lokal, mbeten ende të paqarta. Për të përgatitur fazën e dytë të reformës territoriale është thelbësore që vendimmarrja të bazohet në evidencë dhe matje reale të performancës, si dhe në përfshirjen e komuniteteve vendore në proces”, tha Dr. Valbona Karakaçi, këshilltare strategjike e projektit “Bashki të Forta”. Si ka ndryshuar ekonomia e qarqeve pas 2014

Lini një Përgjigje