Rama me të rinjtë në Jalë: Sikur të besoja u tha për Zvërnecin do të isha në protestë

Rama me të rinjtë në Jalë: Sikur të besoja u tha për Zvërnecin do të isha në protestë

Pikat kryesore

  • Ndër të tjera, Rama tha se dezinformimi ka sjellë një goditje të madhe për turizmin në këtë muaj duke dëmtuar qartazi dhe bizneset.
  • “Sikur unë të besoja çfarë u tha për Zvërnecin, jo vetëm do të kisha dalë në protestë, por do të isha akoma aty.
  • Ajo që u tha ishte e tmerrshme, por fatmirësisht e pavërtetë.

Duke folur në një takim në Jalë me të rinj, kryesisht nga Maqedonia e Veriut, të organizuar në ish-kampin e LSI-së, kryeministri Edi Rama tha se ndërtimi i resortit luksoz në Zvërnec do të sjellë përfitime të mëdha në ekonominë shqiptare. Ndër të tjera, Rama tha se dezinformimi ka sjellë një goditje të madhe për turizmin në këtë muaj duke dëmtuar qartazi dhe bizneset. “Sikur unë të besoja çfarë u tha për Zvërnecin, jo vetëm do të kisha dalë në protestë, por do të isha akoma aty. Ajo që u tha ishte e tmerrshme, por fatmirësisht e pavërtetë. Ajo që është më e vështira në këtë kohë është si t’ia bëjmë me të vërtetën, sesi njerëzit të informohen më mirë dhe të mos lihen jashtë procesit. Kostoja është e lartë. Për një dezinformim aq të madh të kesh një kosto kaq të madhe. Majin e kemi pasur me një tjetër rritje të lartë të turizmit, qershorin nuk e kemi. Po të shohim trendin nga janari, duhet të ishte bum. Kemi pasur anulime pafund. Në emër të Shqipërisë janë goditur shqiptarët. Është goditur puna e njerëzve që janë në pritje gjithë dimrit që të vijë kjo kohë. Përse? Për arsye që janë shumë më komplekse se Zvërneci. Sikur të ishin gjithë tradhtarët si puna ime, Shqipëria do të kishte nevojë për më shumë tradhtarë. E gjithë përpjekja ime, me të gjitha të metat dhe gabimet, që kur kam filluar të merrem me politikë, ka qenë e lidhur me të bukurën, me transformimin fizik të hapësirave, sepse besoj shumë që e bukura ka një impakt të paçmuar në të gjithë zinxhirin e vlerës. Vende të bukura të varfra ka. Po më gjeni një vend të shëmtuar dhe të pasur, ma tregoni. Në shëmti nuk bëhet pasuri. Flas për komunitetin, nuk flas për kriminelët. Në shëmti ka vetëm krim, llum dhe njerëz që mbijetojnë. E gjithë historia ime në detyrë flet për një përpjekje të vazhdueshme për t’i bërë gjërat më bukur. Po shikoja se po bëjmë një film të shkurtër për çfarë kemi bërë për natyrën. Shumë nga gjërat nuk dihen. Kemi mbjellë 5 milionë pemë. Kemi ndërtuar një sistem të tërë të zonave të mbrojtura. I kemi bërë ne. Ligjin e parë për to e kemi bërë ne. Mbi 40 hidrocentrale, me leje të dhëna më parë në shtratin e Vjosës, i kemi anuluar. Nëntë hidrocentrale në Valbonë i kemi anuluar ne. Të anulosh gjithë këto hidrocentrale nuk është si të prishësh disa tendera. Është të shkosh kundër interesave të mëdha financiare. Si mund të jem unë njeriu që betonizon Zvërnecin? E vërteta është që unë besoj se ne jemi në një fazë ku mund të shkojmë shumë më lart, ose mund të shkojmë poshtë. Duhet të kalojmë te një kategori tjetër konsumatori. Duhet të kërkojmë që këtu të vijnë ata që shpenzojnë shumë. Ideja që këto resorte të mëdha turistike janë për ata që vijnë, jo për ne, është një idiotësi. Ato sjellin të ardhura në ekonominë tonë shumë më tepër. Ata nuk vijnë në Hënë. Ata vijnë në një vend ku, në radhë të parë, do të punësohen njerëzit këtu. Do të merren edhe filipinas, nëse ti nuk do të shkosh të punosh. Sot këtu ku jemi, nuk ka paga më të ulëta se në Greqi. A do të vijnë me bukë me vete? Jo. Do të konsumojnë produktet që prodhohen këtu. Ai resort është një fabrikë përpunimi për produktet e zonës dhe më gjerë. U mor një libër dhe shkoi në Prokurori. Ai libër është me projektet e arkitektëve të huaj në Shqipëri. Janë projekte të investitorëve shqiptarë që duan të bëjnë ndërtime. Pashë disa pallate që po ndërtoheshin nga i pandalshmi kryetar i Bashkisë së Kavajës. Niveli zero. Kjo është një shkollë në natyrë për të gjithë arkitektët shqiptarë, që të mësojnë të bashkëpunojnë me mjeshtrat e mëdhenj e nesër të bëhen ata vetë emra të mëdhenj. Të sulmosh një projekt që ende nuk është bërë është një inkuizicion. Ne nuk bëjmë dot një projekt që nuk e pranon Bashkimi Evropian, ose duhet të themi se nuk futemi në BE”, tha Rama.

Lini një Përgjigje