Rama aty, Berisha aty, atëherë?! Gjendja e sotme e Shqipërisë

Rama aty, Berisha aty, atëherë?! Gjendja e sotme e Shqipërisë

Pikat kryesore

  • Gjendja e sotme e Shqipërisë nga ana social-ekonomike është vërtetë shqetësuese.
  • E përjashtojmë atë politike, sepse kurrë nuk ka qenë ndryshe.
  • Prodhuesit nuk kanë ku të çojnë prodhimet e tyre sepse inkurajohet importi.

Gjendja e sotme e Shqipërisë nga ana social-ekonomike është vërtetë shqetësuese. E përjashtojmë atë politike, sepse kurrë nuk ka qenë ndryshe. Në ditët tona, temat për zhvillime protestash nuk mbarojnë. Prodhuesit nuk kanë ku të çojnë prodhimet e tyre sepse inkurajohet importi. Të rinjtë ikin sepse meritokracia mungon krejtësisht dhe vendi i punës është kthyer në mjet, ku pushteti përgatit industri zgjedhore. Konkurset janë bërë qesharake. Nga ana tjetër, ekspertët evidentojnë me të drejtë se: Varfëria e vendit tonë nuk është thjesht pasojë se mungojnë të ardhurat, por i shumë faktorëve që gjithnjë e më tepër shqiptarët po i ndjejnë në kurriz të tyre. “Në qendër të problemit qëndron tregu i punës i brishtë dhe informal, ku një pjesë e madhe e punësimit ofron paga të ulëta dhe mungesë të mbrojtjes sociale, duke e bërë punën të paqëndrueshme dhe të pasigurt për mijëra familje”, shkruhet në platformën ekonomike Altax.al. E njëjta rendit pastaj me radhë disa probleme syresh dhe përfundon në atë që shumë shqiptarë e ndjejnë në kurriz. Me statistikat edhe mund të manovrosh, por realiteti i përditshëm për shumë familje është realisht shqetësues. E mbi të gjitha, rritja ekonomike, nuk manifestohet tek të gjithë sepse politikat ekonomike dhe sociale të Ekzekutivit Rama nuk përkthehen në jetesë më të mirë reale, por thjesht në përfitime për një pakicë. Mos të përmendim skandalet, ku ai 5D ka qenë më shumë se cinik…dhe i tmerrshëm për shqiptarin e zakonshëm. Do duhej një artikull i dedikuar ekonomisë për të treguar anatominë e tregut të brishtë të punës dhe informalitetin, por edhe mungesën e mbrojtjes sociale. Më saktë përfytyrimin e jepte Instituti i Vjenës për Studime Ndërkombëtare, të cilit i dedikohet platforma e konvergjencës të rajonit me BE-në, ku përshkruhet mundësia e 6 vendeve ballkanike të arrijnë standardet e BE-së në 8 drejtime kryesore dhe 40 nënfusha. Ajo që ekspertët e pohojnë me kujdes është se anëtarësimi në BE, por pa respektuar standardet, rrezikon të thellojë edhe më shumë plagën e emigracionit. Nga 40 tregues kryesorë socialë, ekonomikë, në 14 prej tyre, ose 35% të totalit, Shqipëria po bën hapa pas për të arritur standardet e Unionit. Vetëm në 4 tregues e kemi arritur standardin kurse në 22 të tjerë duhen dekada dhe madje më shumë se një shekull, përllogarit ky institucion.

Lini një Përgjigje