Pikat kryesore
- Në muajt e fundit, është shënuar një rritje e rasteve të sulmeve kibernetike dhe mashtrimeve online, ku qytetarë të shumtë kanë rënë pre e skemave të organizuara përmes mesazheve SMS dhe platformave elektronike.
- Për këto vepra penale 243 autorë janë identifikuar ndërsa në prangat e policisë kanë rënë 30 persona.
- Referuar të dhënave një vit më parë u shënuan 1308 krime të kësaj natyre ku përsëri dominon me 762 raste vepra penale e falsifikimit dhe ndërhyrjes kompjuterike.
Në muajt e fundit, është shënuar një rritje e rasteve të sulmeve kibernetike dhe mashtrimeve online, ku qytetarë të shumtë kanë rënë pre e skemave të organizuara përmes mesazheve SMS dhe platformave elektronike. “Mesazhet, që shpesh duken sikur vijnë nga Posta Shqiptare, banka të nivelit të dytë apo institucione të Policisë Rrugore për gjoba të papaguara, kanë mashtruar qytetarët duke i nxitur të klikojnë në lidhje të rreme dhe të japin të dhënat personale apo bankare” Sipas të dhënave nga Policia e Shtetit gjatë 3 muajve të parë të këtij viti 426 raste të krimeve kibernetike janë evidentuar ndër të cilat 125 janë falsifikim dhe ndërhyrje kompjuterike. Për këto vepra penale 243 autorë janë identifikuar ndërsa në prangat e policisë kanë rënë 30 persona. Referuar të dhënave një vit më parë u shënuan 1308 krime të kësaj natyre ku përsëri dominon me 762 raste vepra penale e falsifikimit dhe ndërhyrjes kompjuterike. Në vitin 2025 1006 autorë u identifikuan ndërsa në pranga ranë vetëm 97 prej tyre.