Pikat kryesore
- Për këtë arsye jo pak studiues kanë argumentuar se akti artistik është në vetvete politik, sepse arti nuk prodhon vetëm estetikë, por edhe ndërgjegje, revoltë, identitet dhe mënyra të reja të të menduarit.
- Po aq, politika është parë si një formë arti, sepse nuk mbështetet vetëm te ligjet apo institucionet, por edhe te performanca, retorika, skenografia dhe aftësia për të krijuar emocione kolektive.
- Politikani ndërton role po aq sa artisti ndërton personazhe po ashtu, artisti fiton adhurues po aq sa politikani siguron mbështetës.
Që nga Platoni e deri te mendimtarët modernë, arti dhe politika janë parë si dy mënyra të ndryshme për të ushtruar ndikim mbi shoqërinë, por që shpesh përdorin të njëjtën gjuhë: emocionin, simbolin dhe aftësinë për të formësuar mënyrën si njerëzit e perceptojnë realitetin. Për këtë arsye jo pak studiues kanë argumentuar se akti artistik është në vetvete politik, sepse arti nuk prodhon vetëm estetikë, por edhe ndërgjegje, revoltë, identitet dhe mënyra të reja të të menduarit. Po aq, politika është parë si një formë arti, sepse nuk mbështetet vetëm te ligjet apo institucionet, por edhe te performanca, retorika, skenografia dhe aftësia për të krijuar emocione kolektive. Politikani ndërton role po aq sa artisti ndërton personazhe po ashtu, artisti fiton adhurues po aq sa politikani siguron mbështetës. Pikërisht, këtu kufijtë fillojnë të shuhen pasi artisti shpesh bëhet figurë politike edhe pa e veten të tillë, ndërsa politikani sillet si performues që kërkon jo vetëm vota, por edhe duartrokitje. Sot, kjo ndërthurje është bërë edhe më komplekse. Politikani ka kuptuar se ka nevojë për spontanitet, karizmën dhe magnetizmin emocional të artistit, ndërsa artisti kupton se politika i jep amplifikim, vëmendje dhe fuqi simbolike. Kështu është krijuar një marrëdhënie ku të dyja palët përdorin njëra-tjetrën deri në pikën që bëhet e vështirë të dallosh ku mbaron arti dhe ku fillon politika. Një koncert mund të shndërrohet në manifest politik, ndërsa një fjalim politik ndërtohet si performancë artistike me ritëm, dramaturgji dhe efekt emocional. Publiku nuk ndikohet më vetëm nga argumenti racional, por edhe nga imazhi, identifikimi dhe aftësia për të prodhuar emocion. Në këtë realitet artisti dhe politikani ndajnë të njëjtën skenë publike dhe shpesh të njëjtat teknika ndikimi mbi turmën, aq sa herë pas here duket sikur politika kërkon të bëhet art, ndërsa arti kërkon të ushtrojë pushtet.