Pikat kryesore
- Të martën, më 26 maj 2026, në Bruksel u mbajt Konferenca e 8-të Ndërqeveritare BE–Shqipëri.
- Në rrugën e integrimit europian, kjo konferencë pati një rëndësi të veçantë, pasi “konfirmoi se Shqipëria, në përgjithësi, i ka përmbushur standardet e ndërmjetme të të ashtuquajturit Klasteri 1: THEMELORËT”.
- Si çdo qytetar shqiptar, edhe unë ndihem i lumtur për këtë arritje të vendit tim.
Të martën, më 26 maj 2026, në Bruksel u mbajt Konferenca e 8-të Ndërqeveritare BE–Shqipëri. Në rrugën e integrimit europian, kjo konferencë pati një rëndësi të veçantë, pasi “konfirmoi se Shqipëria, në përgjithësi, i ka përmbushur standardet e ndërmjetme të të ashtuquajturit Klasteri 1: THEMELORËT”. Si çdo qytetar shqiptar, edhe unë ndihem i lumtur për këtë arritje të vendit tim. Për këtë arsye, ndiej detyrimin të përgëzoj publikisht Shqipërinë dhe institucionet e saj për këtë hap të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Megjithatë, personalisht, ndihem edhe i lehtësuar nga një brengë që më ka munduar prej shtatë muaj. Në fund të tetorit 2025, në kuadër të një gjykimi kushtetues lidhur me paraburgimin tim, organi qe ngre akuzë në emër të shtetit tim pretendoi, ndër të tjera, se veprimet që më atribuohen mua kishin dëmtuar rrugën e Shqipërisë drejt integrimit europian. Miratimi i IBAR-it dhe vijimi i procesit të negociatave tregojnë se, fatmirësisht, kjo nuk ka ndodhur.