Pikat kryesore
- Salianji tha se kritikat nuk vijnë vetëm nga jashtë apo nga zërat opozitarë, por edhe nga vetë eksponentë të PD-së.
- “PD po shkon drejt një humnere që nëse nuk veprojmë, do ta tregojnë zgjedhjet e ardhshme.
- Pas kuintave edhe ata brenda PD thonë se me Sali Berishën nuk vijmë dot në pushtet.
Nga Kukësi, ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka rritur tonin e kritikave ndaj drejtimit aktual të partisë, duke paralajmëruar se PD, sipas tij, po shkon drejt një “humnere politike” nëse nuk ndryshon kurs. Në një takim me mbështetës demokratë, Salianji deklaroi se situata brenda partisë është më e rëndë se sa shfaqet publikisht, duke pretenduar se edhe brenda strukturave drejtuese ekziston bindja se me Sali Berishën në krye, rikthimi në pushtet është i pamundur. Salianji tha se kritikat nuk vijnë vetëm nga jashtë apo nga zërat opozitarë, por edhe nga vetë eksponentë të PD-së. “PD po shkon drejt një humnere që nëse nuk veprojmë, do ta tregojnë zgjedhjet e ardhshme. Pas kuintave edhe ata brenda PD thonë se me Sali Berishën nuk vijmë dot në pushtet. E thonë edhe drejtues”, u shpreh ai. Sipas tij, problemi kryesor është mungesa e përgjegjësisë politike për të artikuluar publikisht këto qëndrime, të cilat, siç tha, po mbahen vetëm në prapaskenë. Ai kritikoi gjithashtu premtimet e pambajtura të drejtimit aktual të partisë, duke përmendur çështje si bashkimi i PD-së, heqja e non grata -s dhe politikat sociale për çiftet e reja, të cilat sipas tij “kanë mbetur në letër”. “U tha se do të bashkohej partia, u tha se do të hiqeshin non grata , por ka pasur vetëm zvarritje dhe gënjeshtra. Programi i prezantuar ishte steril, i plakur dhe pa vizion”, shtoi ai. Në një tjetër deklaratë, Salianji u përpoq të balancojë mes kritikës dhe ruajtjes së unitetit formal të partisë, duke theksuar se nuk synon përçarje, por një “vlerë të shtuar” brenda PD-së. “Nuk duam të krijojmë përçarje, por një vlerë të shtuar për PD, siç e përcakton statuti, siç përcakton fraksionet”, tha ai. Ai e justifikoi distancimin e tij me atë që e quajti “balta e 36 viteve”, duke nënvizuar se vendimi i tij ka kosto politike dhe personale, por sipas tij është i domosdoshëm. “Kam bërë gjënë e duhur që po ndahem nga balta e këtyre 36 viteve, edhe pse ka kosto”, u shpreh Salianji. Deklaratat e Salianjit vijnë në një moment kur Partia Demokratike vazhdon të përballet me tensione të brendshme mbi drejtimin politik dhe lidershipin. Kritikat e tij shtojnë presionin publik mbi debatin e kahershëm brenda opozitës shqiptare për reformim, riorganizim dhe strategjinë e rikthimit në pushtet.