Mbrëmjen e djeshme, një zjarr ka shkaktuar panik në kompleksin “Kadiu”, në zonën e Ali Demit në Tiranë, ku flakët përfshinë një nga pallatet e sapondërtuara të kompanisë “Kontakt”, në pronësi të biznesmenit Fatmir Bektashi. Sipas dëshmive nga vendngjarja, zjarri dyshohet se ka nisur në kabinën e automateve elektrike të pallatit. Aktivizimi i alarmit të emergjencës dhe tymi i dendur detyruan dhjetëra banorë, mes tyre familje me fëmijë, të dalin me urgjencë jashtë banesave. Situata u rëndua edhe më shumë nga vështirësitë për ndërhyrjen e mjeteve të emergjencës. Banorët pretendojnë se rruga përpara pallatit ishte e bllokuar, duke penguar hyrjen në kohë të zjarrfikëses dhe ambulancës. Qytetarët kanë ngritur shqetësime serioze për standardet e sigurisë brenda kompleksit, duke theksuar se rrugët e brendshme janë jashtë parametrave të nevojshëm për qarkullimin e mjeteve të emergjencës në raste kritike. Kompleksi rezidencial ende nuk është përfunduar plotësisht, ndërsa pallatet janë banuar vetëm prej pak muajsh.
Panik në kompleksin “Kadiu”, flakët përfshinë gjatë natës një nga pallatet e…