Pikat kryesore
- Për dekada të tëra Lezha është shndërruar në një qytet ku gjakmarrja është kthyer në një sagë e cila ka marrë shumë jetë njerëzish.
- Dy familje të hershme në këtë qytet, të cilat kanë humbur shumë anëtarë të tyre.
- Një lumë i pambarimtë gjaku që nis për një shumë qesharake parash prej 10 mijë lekësh të vjetra, pikërisht 30 vite më parë.
Për dekada të tëra Lezha është shndërruar në një qytet ku gjakmarrja është kthyer në një sagë e cila ka marrë shumë jetë njerëzish. Siç është edhe ajo midis familjeve Nikulaj dhe Lekstakaj. Dy familje të hershme në këtë qytet, të cilat kanë humbur shumë anëtarë të tyre. Një lumë i pambarimtë gjaku që nis për një shumë qesharake parash prej 10 mijë lekësh të vjetra, pikërisht 30 vite më parë. Familje të cilat sot paguajnë shuma të mëdha parash për të shuar njëra-tjetrën. Konflikt i cili duket i vështirë për t’u shuar midis dy fiseve, që vetëm në 3 vitet e fundit nga shkrepja e ndërsjelltë e armëve kanë humbur 3 anëtarë. Familje që tashmë rrinë të ngujuara, si dhe fëmijë që rriten në trauma dhe zgjidhja duket e largët. Nikolin Marku ishte pikërisht një nga viktimat e shumta të këtij konflikti të përgjakshëm dhe të pambarimtë midis fiseve Nikulaj dhe Lekstakaj. Ai nuk kishte shumë që kishte dalë nga banesa e tij, kur u qëllua për vdekje nga një batare plumbash, që i morën jetën në derën e dyqanit ku sapo kishte blerë një shishe Coca-Cola, në fshatin Balldre të Lezhës. Atë pasdite të parakrimit ai ishte në banesën e tij bashkë me familjarë të tjerë kur u çua dhe mori makinën e vëllait të tij, për t’u drejtuar për në dyqanin më të afërt. Dyqan që ndodhej jo më larg se 1 km nga shtëpia e tij. Një nxitim i tillë sa ai doli nga shtëpia me shapkat e para që gjeti në pragun e derës. Ngut që u pa edhe te mënyra se si e la automjetin me të cilin udhëtoi pranë dyqanit, ku u ndal të psoniste, atë pasdite të nxehtë korriku. Makinë e cila u gjet e ndezur, ashtu siç ai e kishte lënë, vetëm 10 metra përballë marketit, ku ai do të qëllohej nga një automjet që e priste jashtë tij. Nikolin Marku, i cili u pa i dergjur i pajetë në shkallët e dyqanit, ku sapo kishte dalë me shishen e Coca-Colas në dorë. Shishe e Coca-Colës e cila u gjet vetëm pak metra larg trupit të tij, ashtu si dhe shapkat verore që mbante mbathur. Një vrasje e paralajmëruar, për të cilën edhe vetë viktima dhe familjarët e tij, mund edhe ta kishin parashikuar. Ose të paktën mund të ishin në dijeni prej kohësh. Qysh prej të paktën kur një tjetër vrasje kishte tronditur Lezhën. Aty ku prej vitesh fisi dhe familja e tij rronin në një hasmëri të gjatë dhe të thellë me fisin e Nikulajve. Nikulajt, me të cilët Lekstakajt, mbiemri i vërtetë i viktimës, ishin lidhur në një seri të gjatë dhe të pambarimtë episodesh të përgjakshëm që nisnin që nga mesi i viteve ‘90 dhe që nuk kishin ndalur as në vitet e fundit. Aty ku atentati që trazoi edhe njëherë mëritë e vjetra dhe ktheu armët sërish ndaj njëri-tjetrit ishte ai ndaj biznesmenit dhe politikanit lokal me influencë në zonën e Lezhës, Ardian Nikulaj. Nikulaj i cili u qëllua për vdekje brenda lokalit të tij në Shëngjin mesditën e datës 19 Prill 2023. Nga një person i maskuar me skafandër në kokë që iu afrua dhe e qëlloi për vdekje me disa plumba.