Pikat kryesore
- Mohamed Ouahbi nuk ka kaluar nëpër itinerarin e zakonshëm që të çon te drejtimi i një kombëtareje në Kupën e Botës.
- Ai nuk ka qenë futbollist dhe nuk e ka ngritur emrin e tij duke fituar trofe në majat e futbollit.
- Për shumë vite të jetës së tij, Ouahbi punoi si mësues i edukimit fizik.
Mohamed Ouahbi nuk ka kaluar nëpër itinerarin e zakonshëm që të çon te drejtimi i një kombëtareje në Kupën e Botës. Ai nuk ka qenë futbollist dhe nuk e ka ngritur emrin e tij duke fituar trofe në majat e futbollit. Për shumë vite të jetës së tij, Ouahbi punoi si mësues i edukimit fizik. Në një shkollë të Brukselit, ai u jepte mësim fëmijëve të moshës gjashtë deri në dymbëdhjetë vjeç. Sapo përfundonte orët e mësimit, ai linte klasën dhe shkonte në fushën stërvitore, ku vazhdonte të merrej me atë që e pasiononte më shumë. Kështu mori jetë rrëfimi i “Trajnerit Momo”, njeriut që tashmë do të drejtojë Marokun ndaj Francës, në duelin ku vendoset një vend në gjysmëfinalen e Kupës së Botës. Ouahbi ka lindur 49 vjet më parë në Bruksel, në një familje me prejardhje marokene, dhe kontaktin me futbollin e pati që në fëmijëri. Ai e përjetoi nga afër Kupën e Botës 1986, turne në të cilin “Luanët e Atlasit” mbërritën për herë të parë në raundin e 16 më të mirave. Ajo skuadër kombëtare i krijoi një ndjesi përkatësie që mbeti e fortë ndër vite, edhe pse jeta dhe formimi i tij, si në aspektin personal ashtu edhe profesional, u zhvilluan në Belgjikë. Nga klasa te stoli i Kupës së Botës Kur ishte vetëm 21 vjeç, Ouahbi hodhi hapat e parë si trajner te Maccabi Brussels. Ishte nisja e një rruge të qetë, por të qëndrueshme, e cila mori një kthesë të rëndësishme në vitin 2003, kur ai u kontaktua nga Anderlecht. Te klubi belg, ai mori në dorë ekipin U9 në Neerpede dhe më pas qëndroi plot 17 vjet në akademinë e Anderlechtit. Me kalimin e kohës, ai avancoi gradualisht në hierarkinë e klubit, derisa u bë një nga figurat më të vlerësuara të akademisë. Në disa periudha, ai punoi edhe si ndihmës-trajner i ekipit të parë, përkrah legjendës shqiptare, Bensik Hasi.