Pikat kryesore
- Dhe atij nuk ia dhanë, por Ilir Meta ishte serioz në budallallëkun e vet dhe organizoi edhe një protestë me 5 vetë nën thirrjet “Duam formularin”.
- Ndryshimi nga Flamur Noka ishte se Ilir Meta argëtohej me këtë skenë dhe donte t’i prishte festën e rizgjedhjes Fatos Nanos.
- E bënte, e filmonte, ia çonte Frangajt dhe pastaj argëtohej duke e parë në ekran.
Kur shikoje fytyrën e lumtur të Flamur Nokës të enjten në mesditë, duke deklaruar se vetëm Meremja plotëson kushtet për garë përballë Doktorit, duke vënë roje te dera që të mos afroheshin të tjerët, mu kujtua një skenë e ngjashme me Ilir Metën kundër Fatos Nanos, kur para Kongresit i dërgoi një skraparlli para godinës që kërkonte formularin. Dhe atij nuk ia dhanë, por Ilir Meta ishte serioz në budallallëkun e vet dhe organizoi edhe një protestë me 5 vetë nën thirrjet “Duam formularin”. Ndryshimi nga Flamur Noka ishte se Ilir Meta argëtohej me këtë skenë dhe donte t’i prishte festën e rizgjedhjes Fatos Nanos. Nuk bënte kujdes ta bënte ilegalisht gjithë këtë tallje. E bënte, e filmonte, ia çonte Frangajt dhe pastaj argëtohej duke e parë në ekran. Flamuri, në raport me këtë budallallëkun e Metës, është aq idiot sa e quan gjeniale këtë shpikje të Metës dhe e bën këtë kundër kandidatit real të Saliut, Ervin Salianjit. Pra, Flamuri mendon se Ilir Meta e ka pasur vërtet shqetësim atë formular që kërkonte te dera e PS dikur për atë burrin nga Skrapari me emrin Shkëlqim Meta. Pra ai ka besuar si serioze atë që Ilir Meta e kishte vërtet tallje. Kjo tregon se çfarë niveli është njeriu që Sali Berisha i ka dorëzuar partinë për t’ia ruajtur që të mos ia marrin të tjerët. Në përpjekje për ta ruajtur partinë që mos t’ia prekë kush Berishës, Flamuri e hodhi në erë edhe partinë dhe rizgjedhjen e Berishës, duke përzgjedhur Meremen si të vetmen të denjë përballë tij. Kështu që Berishës, në vend që t’i vinte vetullat, i nxori sytë. Brenda 12 orëve, shoqëria shqiptare reagoi aq keq dhe me aq neveri sa, për herë të parë, një Shqipëri e tërë “ndërhyri” në punët e brendshme të një partie, duke e poshtëruar atë. Miliona klikime kanë shkuar për “memet” e Meremes, për fyerjet ndaj Berishës dhe për idiotësinë e rojes që ai ka lënë në Partinë Demokratike. Sikur kundërshtarët e Berishës të ishin mbledhur bashkë dhe të bënin plane kundër tij se si mund ta shkatërronin në këto momente, nuk do të gjenin një skenar kaq perfekt sa ky që gjeti Flamur Noka. Dhe të mendosh se e ka pasur në dorë ta bënte Berishën lider shumë serioz, sikur të kishte lejuar garën me Salianjin, kundërshtarin real të tij brenda partisë. Brenda 12 orësh, Berishës iu desh të rikthehej me urgjencë nga Zagrebi dhe të urdhëronte nxjerrjen nga gara të Meremes, “zbulimit” të Flamur Nokës për t’u tallur me garën e tij. Por dëmi ndërkohë është bërë. Shqiptarët panë se në atë parti garohet ose vetëm siç bëri Berisha, ose përballë Meremes, siç rekomandoi Flamuri, roja i derës së tij. Në të gjitha variantet, e vetmja gjë që të mbetet në mendje është se kjo betejë për të mos pasur garë nuk e bëri PD as parti diktatoriale, as liberale, as moderne, as konservatore, as të mbyllur, as të hapur. E bëri qesharake. Siç mund të bëhet çdo gjë që lihet në dorë të Flamurit.