Pikat kryesore
- Sipas Ndrecës, institucioni më i lartë i qeverisjes së prokurorisë po bëhet palë me paligjshmërinë, ndërkohë që duhej të ishin shumë të shqetësuar mbi një pretendim, i cili është në verifikim.
- Ajo që doja të evidentoja mbi këtë moment është fakti që situata e publicitetit në seancë gjyqësore përkthehet në një situatë qesharake.
- Nuk e kuptoj nga çfarë kanë frikë gjykatat që nuk lejojnë kamerat dhe nuk lejojnë nëpërmjet tyre publikun të marrë pjesë në mënyrë të drejtpërdrejtë me argumente në proces gjyqësor.
Në komunikimin e tij me gazetarët, pas përfundimit të seancës në Gjykatën Administrative, e cila u shty për në datën 3 korrik, avokati mbrojtës i kryebashkiakut Veliaj, Plarent Ndreca, e vuri theksin te qëndrimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë mbi çështjen e emërimit të Ols Dados prokuror. Sipas Ndrecës, institucioni më i lartë i qeverisjes së prokurorisë po bëhet palë me paligjshmërinë, ndërkohë që duhej të ishin shumë të shqetësuar mbi një pretendim, i cili është në verifikim. I pyetur nga gazetarët pse Veliaj nuk paraqitet në gjyqin e çështjes së tij, Ndreca sqaroi se kjo vjen për shkak se mbajtja e tij në kafazin e xhamtë është cenim i dinjitetit të tij, edhe sipas Komitetit të Helsinkit, edhe sipas Gjykatës së Strasburgut. Deklarata e avokatit Ndreca me gazetarët: Ashtu siç e thashë edhe në seancë, qëndrimi i KLP-së i jep një përmasë tjetër këtij procesi, në kuptimin që, përtej një dekreti, përtej një emri prokurori, po kthehet në një problem institucional, kur institucioni më i lartë i qeverisjes së prokurorisë bëhet palë me paligjshmërinë, ndërkohë që duhej të ishin shumë të shqetësuar mbi një pretendim i cili është në verifikim. Normalisht, duhej ta kishin bërë verifikimin më përpara, por tashmë, ne ia kemi drejtuar Gjykatës; është një verifikim që ia kemi drejtuar një pale të tretë, pra ata nuk duhet të kenë asnjë frikë që të fusin një proces në shqyrtim gjyqësor dhe të dëgjohen palët në themel, të mbajnë qëndrimin e tyre dhe të presin vendimin e Gjykatës. Fakti që institucioni më i lartë i prokurorisë, i cili është institucioni më i interesuar që e vërteta të dalë në pah, edhe për këtë çështje mban qëndrim të tillë që në terma të thjeshtë përkthehet në “mos i fol gjykatës, mos iu drejto gjykatës, ju nuk keni të drejtë të ngrini kështu lloj pretendimesh”, tregon për një qëndrim i cili, të them të drejtën, lë shumë për të dëshiruar dhe tregon që ka një situatë shumë të rëndë në këtë pikëpamje në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, të paktën për këtë çështje që është në zhvillim. Ajo që doja të evidentoja mbi këtë moment është fakti që situata e publicitetit në seancë gjyqësore përkthehet në një situatë qesharake. Nuk e kuptoj nga çfarë kanë frikë gjykatat që nuk lejojnë kamerat dhe nuk lejojnë nëpërmjet tyre publikun të marrë pjesë në mënyrë të drejtpërdrejtë me argumente në proces gjyqësor. Përmendja e një udhëzimi të KLGJ, i cili është një udhëzim krejtësisht i paligjshëm, dhe siç e thashë edhe në seancë gjyqësore, gjykata e ka gjithë kompetencën për ta konstatuar si të tillë që nuk lejon kamerat të filmojnë, duke reduktuar publicitetin e seancës gjyqësore në 30 vende që ka një sallë, ndërkohë që publiciteti i parashikuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë është mundësia që çdo qytetar i interesuar për të ndjekur një proces gjyqësor të ketë mundësinë ta dëgjojë procesin gjyqësor. Pyetje: Nuk e di nëse jeni i informuar z. Ndreca, të gjitha televizionet kryesore kanë vënë në lëvizje Këshillin e Lartë Gjyqësor mbi këtë çështje, kështu që mendoj që ne po kërkojmë po aq sa ju transparencë, jo vetëm në këtë proces, por edhe… Ndreca: Jam shumë i informuar dhe i kam mbështetur. Ju inkurajoj dhe jam palë me ju në këtë proces dhe me aq sa e parë dhe në proces, unë bëra një gjysmë ore hapje vetëm për të këtë çështje, që unë mendoj që është një çështje e drejtë dhe absurdi është që një kryetar bashkie që është në masë sigurie në arrest me burg kërkon transparencë. Gjyqtari, prokurori, KLP, Presidenca nuk e kërkojnë këtë transparencë, kur asnjë prej tyre nuk ka asnjë masë sigurimi dhe nuk kanë asnjë pasojë në jetën personale. Pyetje: Pse duhet të vijë Dado në Administrative tek Veliaj dhe nuk duhet të shkojë Veliaj në GJKKO tek Dado? Ndreca: Sepse Veliaj është i pandehur, ka të drejta specifike që ia garanton Kushtetuta dhe siç ju duhet ta dini, z. Z. Veliaj ka vlerësuar që të mos vijë aty dhe t’i cënohet dinjiteti se mjaft i është cënuar liria. Nuk është mirë që të vijojë të cënohet dinjiteti në një proces gjyqësor, ndërsa këtu z. Dado nuk vjen si individ, këtu z. Dado vjen si përfaqësues i shtetit shqiptar, personazh i cili ka një funksion publik dhe që ka detyrim ligjor të përballet me publikun dhe të jetë në sytë e publikut, për mënyrën se si është emëruar dhe kur vjen momenti për mënyrën se si i ka zbatuar detyrat e tij. Pra, është funksionar publik. Z. Veliaj në ndryshim nga z. Dado ka qenë gjithë kohës në dispozicion, gjithë kohës bashkëpunues me hetimin. Nuk ka ndërhyrë në asnjë moment në hetim, ka pranuar çdo lloj mase dhe masën që ka aktualisht dhe ka pranuar çdo lloj hetimi nga prokuroria. Z. Dado, në vend që të vijë këtu e të përballet me argumentet, ka zgjedhur, sigurisht është e drejta e tij ligjore, formalisht, të mos jetë prezent. Pyetje: Si e konsideroni faktin e ndërhyrjes së një shoqate “Media për drejtësi” në këtë proces? Ndreca: Po sigurisht, madje shoqatat kanë të drejtë, nuk e njoh mirë argumentin përveç atyre që u thanë në seancë, por shoqatat kanë të drejtë shkojnë drejtpërdrejt në Gjykatën Kushtetuese. Janë të vetmet subjekte që legjitimohen drejtpërdrejt në Gjykatë Kushtetuese, për shkak të objektit të veprimtarisë së tyre, nëse e kanë në mbrojtje të të drejtave themelore të njeriut, që mund të legjitimohen drejtpërdrejtë në Gjykatë Kushtetuese. Vlerësoj që në këtë proces është i legjitimueshëm për të hyrë çdo qytetar i Tiranës, i cili paguan taksa, taksat e të cilit nuk administrohen në mënyrën se si vetë qytetarët kanë zgjedhur për t’i administruar nga një i zgjedhur i tyre dhe për rrjedhojë çdo qytetar legjitimohet e jo më një shoqatë, e cila siç duket dhe u relatua në seancë kishte për objekt veprimtarie verifikimin e gjithë veprimtarisë së organeve të drejtësisë dhe mënyrën se si ato ushtrojnë veprimtarinë e tyre. Ne sigurisht rezervuam të drejtën të shprehemi në themel mbi kërkesën e bërë nga shoqata, por ajo çka u përmend në seancë gjyqësore vlerësoj që ishte një fakt i ri, për të cilin unë personalisht nuk kam pasur informacion, që z. Dado paska qenë edhe prokuror i çështjes së “21 janarit” dhe sigurisht që, objekti i padisë sonë ndikon drejtpërdrejtë edhe tek çështje të një niveli të tillë interesi publik, ku çështja e “21 janarit”, ju e dini shumë mirë që është kthyer nga Gjykata e Strasburgut, pikërisht për shkakun se nuk është bërë hetim i thellë dhe hetimi i duhur. Pra, ka qenë një hetim me të meta. Në kushtet kur ne po flasim, nëse një prokuror ka qenë i emëruar në mënyrë të ligjshme apo jo, sigurisht që ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe tek hetimi, sepse ai prokuror që paska hetuar “21 janarin” nuk është emëruar në mënyrë të ligjshme dhe këto janë të lidhura me njëra-tjetrën. Në lidhje me shoqatën, ne do shohim argumentin e thelluar të tyre dhe më pas do japim qëndrimin tonë më 3 korrik. Pyetje: A do jeni ju dakord me kërkesën që deklaroi avokati Karanxha, kur kërkoi si një dëshmitar z. Bamir Topin dhe znj. Ina Rama? Ndreca: Nuk mund ta them në këtë moment, sepse këtë mund ta shpreh vetëm pasi të shoh gjithë argumentet që kanë trajtuar dhe lidhjen e tyre mbi çështjen. Unë mendoj që çdo qytetar, çdo taksapagues i Tiranës ka legjitimim aktiv, për t’iu bashkuar kësaj padie, sepse ka interesin për të ditur, nëse prokurori që e ka marrë nga detyra kryetarin e Bashkisë së tyre të zgjedhur është i ligjshëm apo jo dhe sigurisht edhe shoqatat që kanë objekt veprimtarie, mirëfunksionimin e drejtësisë, mirëfunksionimin e institucioneve publike, kanë patjetër interes të ligjshëm për të vlerësuar ligjshmërinë e emërimit të një prokurori. Patjetër që KLP është e para që ka interes të ligjshëm, por siç duket institucionet shtetërore nuk e kanë interesin real, për të zbuluar të vërtetat që në fakt janë në dëm të çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë.