Mungesa e reflektimit për dështimet e Reformës në Drejtësi mund ta vrasin atë

Mungesa e reflektimit për dështimet e Reformës në Drejtësi mund ta vrasin atë

Pikat kryesore

  • Në vitet e para të saj ajo është përballur me një sërë dështimesh, disa prej të cilave janë katastrofike, por një reformë e re do të ishte dhe më keq.
  • Disa dështime të saj duan përgjigje të menjëhershme dhe disa të tjera një reflektim të matur që të jetë afatgjatë dhe jashtë emocioneve politike.
  • Dështimi i parë i madh i saj është stokimi prej qindra mijëra dosjesh dhe drejtësia e vonuar për qindra mijëra qytetarë, të cilët po marrin një drejtësi shumë më të keqe se ajo para vitit 2016.

Reforma në Drejtësi nuk duhet lënë të dështojë. Në vitet e para të saj ajo është përballur me një sërë dështimesh, disa prej të cilave janë katastrofike, por një reformë e re do të ishte dhe më keq. Disa dështime të saj duan përgjigje të menjëhershme dhe disa të tjera një reflektim të matur që të jetë afatgjatë dhe jashtë emocioneve politike. Mungesa e reflektimit për dështimet në Reformën në Drejtësi vjen pikësëpari nga fakti se ajo u konsiderua apriori një vepër konsensuale e klasës politike shqiptare me faktorin ndërkombëtar dhe prekja e saj u kthye në një dogmë, që në fakt po forcon dështimin e saj. Dështimi i parë i madh i saj është stokimi prej qindra mijëra dosjesh dhe drejtësia e vonuar për qindra mijëra qytetarë, të cilët po marrin një drejtësi shumë më të keqe se ajo para vitit 2016. Praktikisht po u hiqet mundësia të marrin drejtësi. Këtë katastrofë e prodhoi vettingu i ngadaltë dhe represiv nga një anë, rregullat anormale për zëvendësimin e tyre që ishin të kushtëzuara nga lobime meskine dhe llogari të personalizuara për emra gjyqtarësh që donin të kapnin pozita kyçe në sistem, si dhe superstruktura e rënduar e reformës që kërkonte burime njerëzore disa fish më shumë se më parë. Të gjitha së bashku, bashkuar dhe hartën e re të gjyqësorit tërësisht të dështuar, kanë krijuar sot një situatë katastrofike në drejtësi. Praktikisht i kemi lënë qytetarët pa drejtësi. Dje pashë që një nga këto organet qeverisëse të drejtësisë, KLGJ, iu ka kërkuar ndihmë ekspertëve ndërkombëtarë për këtë situatë katastrofike që në fakt është përgjegjësi e saj. Përse u duhet kërkuar ndihmë ekspertëve të huaj për një banalitet që e kemi prodhuar vetë dhe mund ta zgjidhim vetë? Nëse KLGJ është e paaftë për shkak të nivelit ordiner të anëtarëve, atëherë të shkrijmë KLGJ dhe të ndërtojmë një qeveri të gjyqësorit më të aftë. Zgjidhja është të ndërhyhet për t’u tërhequr nga dështimet. Fjala vjen, pse duhet mbrojtur me çdo kusht harta e gabuar e gjyqësorit që është një nga shkaqet që ka prodhuar stokun e dosjeve, vetëm se e ka thënë Ulsiu që është propozim i BE? Po mirë, ta zgjidhë Ulsiu me BE. Pastaj pse duhen marrë ekspertë të huaj, serbë a ku di unë çfarë, për këtë marrëzi që e kemi bërë me arrogancën tonë? E njëjta gjë duhet bërë dhe me shtimin e burimeve njerëzore në drejtësi. Ajo duhet korrigjuar dhe nëse nuk ka më magjistratë, le të aplikohen kritere të ngjashme që fusin në sistem profesorë të drejtësisë apo ish-ekspertë të nivelit të lartë.

Lini një Përgjigje