Pikat kryesore
- MrBeast, një nga YouTuber-ët më të njohur dhe më të suksesshëm në botë, ka folur së fundmi për ritmin rraskapitës me të cilin punon, pak pasi zbuloi se për të realizuar videot e tij i duhet të marrë borxh para.
- Ai e trajtoi këtë temë në një video në YouTube me titull “Si punon MrBeast 18 orë në ditë”.
- “Jetoj për të punuar dhe fare nuk e vlerësoj ekuilibrin mes punës dhe jetës private”, shkroi ai në rrjetin social X.
MrBeast, një nga YouTuber-ët më të njohur dhe më të suksesshëm në botë, ka folur së fundmi për ritmin rraskapitës me të cilin punon, pak pasi zbuloi se për të realizuar videot e tij i duhet të marrë borxh para. Ai e trajtoi këtë temë në një video në YouTube me titull “Si punon MrBeast 18 orë në ditë”. “Jetoj për të punuar dhe fare nuk e vlerësoj ekuilibrin mes punës dhe jetës private”, shkroi ai në rrjetin social X. Ndërsa në dokumentar shtoi: “Është mrekulli nëse dita ime e punës zgjat më pak se 15 orë. Ditët i kam të planifikuara fjalë për fjalë minutë pas minute. Gjithçka duhet të jetë perfekte, sepse thjesht nuk kam shumë kohë”. Pavarësisht punës së pandalshme dhe pasurisë së vlerësuar rreth 2.6 miliardë dollarë (sipas Celebrity Net Worth), MrBeast thotë se pothuajse nuk ka para të gatshme në dispozicion. “Për momentin jam ‘në minus’, po marr borxh. Kam shumë pak cash”, ka thënë ai më herët këtë vit në një intervistë për Wall Street Journal. “Teknikisht, kushdo që po e sheh këtë ndoshta ka më shumë para në bankë se unë, nëse përjashtojmë vlerën e pjesës sime në kompani. Me ato, në mëngjes s’mund ta blej as mëngjesin në McDonald’s”, u shpreh ai. Sipas tij, kjo vjen sepse pothuajse gjithçka që fiton e rikthen menjëherë në punë dhe në zgjerimin e projekteve. “Zgjohem dhe menjëherë punoj. Jam aq i përfshirë në punë, sa as nuk mendoj për llogarinë time personale. Jam i fokusuar plotësisht te krijimi i videove sa më të mira dhe te rritja e biznesit”, tha MrBeast. Projekti i tij i fundit i madh ishte një transmetim live në YouTube me edhe katër krijues të tjerë, gjatë të cilit u dhuroi shikuesve 1.5 milionë dollarë.