Pikat kryesore
- Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi një bashkëbisedim me studentë të Akademisë Diplomatike të Vjenës, në ambientet e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.
- Takimi u karakterizua nga një shkëmbim i hapur dhe i frytshëm mbi sfidat dhe transformimet që po përjeton diplomacia në një kontekst të ri gjeopolitik, gjithnjë e më kompleks dhe dinamik.
- “Për ne nuk ka asgjë më gjithëpërfshirëse dhe më jetike sesa procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi një bashkëbisedim me studentë të Akademisë Diplomatike të Vjenës, në ambientet e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Takimi u karakterizua nga një shkëmbim i hapur dhe i frytshëm mbi sfidat dhe transformimet që po përjeton diplomacia në një kontekst të ri gjeopolitik, gjithnjë e më kompleks dhe dinamik. Në qendër të diskutimeve ishte rrugëtimi evropian i Shqipërisë, përfshirë progresin e arritur në reformat kyçe, ecurinë e procesit të negociatave për anëtarësim dhe angazhimin e vazhdueshëm për të prodhuar rezultate konkrete në funksion të integrimit në Bashkimin Evropian. “Për ne nuk ka asgjë më gjithëpërfshirëse dhe më jetike sesa procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Në Evropë ka ndodhur një ndryshim i rëndësishëm: zgjerimi është rikthyer në qendër të vëmendjes. Sot, kushdo që flet për zgjerimin e konsideron atë një investim strategjik për të ardhmen e Evropës. Evropa është një histori zgjerimi, një histori rritjeje. Dhe nëse shpesh thuhet se Evropa do të zgjerohet kur të vijë koha e duhur, për ne kjo kohë është tani. Nuk ka arsye për vonesa ,” u shpreh Ministri Hoxha. Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit dhe të përgjegjësisë së përbashkët për të çuar përpara perspektivën evropiane të vendit, duke vlerësuar njëkohësisht rolin e brezit të ri të diplomatëve në formësimin e së ardhmes së Evropës dhe të rajonit. Ministri vlerësoi gjithashtu kontributin ndër vite të Akademisë Diplomatike të Vjenës në përgatitjen e brezave të diplomatëve, duke theksuar lidhjen e qëndrueshme të këtij institucioni me Shërbimin e Jashtëm të Shqipërisë, përmes formimit të disa prej përfaqësuesve të tij.