Mercenarët e Wagner dështojnë në misionin e tyre në Afrikë

Gazeta The Economist raporton për dështimin e Grupit Wagner në Mali, dy vjet pas vdekjes së liderit të tyre, Yevgeny Prigozhin. Mercenarët dështuan të përmirësojnë sigurinë, ushqyen kaosin, u përplasën me ushtrinë maliane dhe nuk fituan qasje në burimet lokale. Pas grushtit të shtetit në vitin 2021, udhëheqësi ushtarak Assimi Goita u mbështet në luftëtarët rusë, por sulmet xhihadiste vetëm u intensifikuan. Rrjeti JNIM po zgjerohet, dhe numri i vdekjeve të civilëve që nga grushti i shtetit është katërfishuar. Analistët thonë se 80 për qind e viktimave u vranë nga trupat maliane dhe luftëtarët e Wagnerit. Metodat e Wagner – terrorizimi i civilëve, racizmi ndaj ushtarëve malianë, injorimi i urdhrave dhe sekuestrimi i pronës së ushtrisë – shkaktuan përçarje me ushtrinë lokale dhe pastrimet e gjeneralëve kritikë ndaj mercenarëve. Ndryshe nga Republika Qendrore Afrikane apo Sudani, Rusia nuk arriti të sigurojë miniera ari. Goita tani kërkon partnerë të rinj, duke negociuar me Turqinë dhe SHBA-në për mbështetje ushtarake dhe marrëveshje për burimet. Wagner u vendos për herë të parë në Mali në 2021, pas tërheqjes së forcave franceze dhe paqeruajtësve të OKB-së. Por në tre vite, prania e tyre nuk solli asnjë stabilitet. Në verën e vitit 2024, disa dhjetëra luftëtarë të Wagner u vranë në përplasje me Tuaregët, pas së cilës mercenarët hakmerren duke masakruar civilë. /Telegrafi

Lini një Përgjigje