Mentor Majaci, një nga aktivistët e njohur të Lëvizjes Vetëvendosje, ka njoftuar dorëheqjen e tij nga ky subjekt politik, i udhëhequr nga Albin Kurti. Në një postim të tij në Facebook, ai shpreh shqetësimin se Vetëvendosje, që dikur përfaqësonte idealizmin dhe sakrificën qytetare, tani është shndërruar në një mekanizëm për pushtet, i fokusuar në interesa të mbyllura dhe përjashtuese.
Majaci kërkon falje publike për të gjithë ata që i ka inkurajuar të bashkohen me këtë lëvizje, duke theksuar se gjatë angazhimit të tij ka vërejtur keqqeverisje, arrogancë dhe kapje të institucioneve. Ai e sheh me shqetësim se, në vend të ndryshimit, po ripërsëritet e njëjta mendësi që dikur ky subjekt pretendonte se do ta luftonte.
Aktivisti thekson se të rinjtë dhe profesionistët e ndershëm po injorohen, ndërsa po preferohet mediokriteti dhe besnikëria personale mbi parimet. "Dua të njoftoj se jap dorëheqje nga çdo funksion dhe anëtarësi në Lëvizjen Vetëvendosje, me efekt të menjëhershëm," shkruan ai.
Majaci shpreh se do të vazhdojë të jetë një zë aktiv dhe i angazhuar si qytetar, duke mos u dorëzuar përballë padrejtësive.