Pikat kryesore
- Dy fëmijë humbën jetën, ndërsa një tjetër po lufton me vdekjen në spitalin e Traumës.
- Nikollë Rradaçi, 57 vjeç, është marrë dy herë në pyetje, pasi fillimisht ka qenë në gjendje të rënduar psikologjike, por edhe nën efektin e alkoolit.
- Nikollë Rradaçi është një person që ishte bërë shqetësim për banorët e zonës, të cilët disa herë ishin ankuar edhe në polici për shkak se ai ecte me shpejtësi të lartë në rrugët e lagjes dhe në gjendje të dehur në timon.
Aksidenti tragjik në Durrës ka tronditur opinionin publik, pasi dy fëmijë humbën jetën, ndërsa një tjetër ndodhet në gjendje kritike dhe po lufton për jetën në Spitalin e Traumës.
Autori i ngjarjes, Nikollë Rradaçi, 57 vjeç, është marrë dy herë në pyetje nga policia. Fillimisht ai ndodhej në gjendje të rënduar psikologjike dhe nën efektin e alkoolit, çka e bëri të vështirë marrjen e një dëshmie të qartë.
Mes lotësh dhe i tronditur, ai ka shprehur pendesë të thellë për tragjedinë e shkaktuar, duke deklaruar: “Më vrisni. Nuk meritoj të jetoj. Dua të vras veten. Çfarë të them? Ka ngelur gjë për të thënë më? Jam i tronditur. Nuk mbaj mend asgjë. Mora në qafë fëmijët.”
Sipas banorëve të zonës, 57-vjeçari prej kohësh ishte kthyer në shqetësim për komunitetin. Ata kishin bërë disa ankesa në polici, pasi ai lëvizte shpesh me shpejtësi të lartë në rrugët e lagjes dhe drejtonte automjetin në gjendje të dehur.
Vetëm një ditë para aksidentit fatal, një banor deklaroi se kishte shpëtuar për mrekulli së bashku me nipin e tij 7-vjeçar, pasi Nikolla për pak sa nuk i kishte përplasur me makinë në rrugë.
Burime bëjnë me dije se Rradaçi ishte ndëshkuar disa herë nga policia dhe në të paktën dy raste i ishte hequr leja e drejtimit, pasi ishte kapur duke drejtuar automjetin nën efektin e alkoolit.
Për shumë banorë, aksidenti i sotëm ishte një tragjedi e paralajmëruar, një ngjarje që mund të ishte parandaluar nëse masat ndaj tij do të kishin qenë më të forta.
Ngjarja ka sjellë reagime të forta edhe në nivel politik. Kryeministri Edi Rama ka shprehur ngushëllimet për familjet e dy fëmijëve që humbën jetën, duke e cilësuar ngjarjen si një dhimbje të madhe për të gjithë vendin.