Pikat kryesore
- Një dokument anonim po ndryshon fokusin e “Revolucionit të Flamingove”: nga kërkesa për rrëzimin e qeverisë te beteja për territorin, pronën dhe ligjet.
- I titulluar “Deklarata Kombëtare për Mbrojtjen e Territorit dhe Pronës”, dokumenti qarkullon pa autorësi të identifikuar.
- I vetmi shpjegim që e shoqëron është se është “hartuar nga një grup juristësh”.
Një dokument anonim po ndryshon fokusin e “Revolucionit të Flamingove”: nga kërkesa për rrëzimin e qeverisë te beteja për territorin, pronën dhe ligjet. Një dokument i shpërndarë dorë më dorë gjatë protestave të etiketuara si “Revolucioni i Flamingove” po tërheq vëmendjen si një përpjekje për t’i dhënë një drejtim tjetër lëvizjes protestuese, duke e zhvendosur debatin nga kërkesat politike të menjëhershme, drejt një platforme që fokusohet te territori, prona dhe menaxhimi i pasurive publike. I titulluar “Deklarata Kombëtare për Mbrojtjen e Territorit dhe Pronës”, dokumenti qarkullon pa autorësi të identifikuar. I vetmi shpjegim që e shoqëron është se është “hartuar nga një grup juristësh”. Nuk ka logo organizative, firma apo përgjegjësi publike mbi përmbajtjen e tij. Megjithatë, përmbajtja e manifestit e veçon qartë nga dokumentet e deritanishme që kanë shoqëruar protestën. Ndryshe nga letra e publikuar pak ditë më parë nga Grupi Koordinues i protestave, e cila përmbante pesë kërkesa dhe vendoste në qendër dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe Qeverisë, ky manifest nuk formulon asnjë kërkesë për largimin e ekzekutivit. Përkundrazi, ai argumenton se përqendrimi vetëm te ndryshimi i emrave në pushtet është një kurth politik, nëse mbetet i paprekur sistemi ligjor që, sipas autorëve, ka mundësuar tjetërsimin e territorit dhe të pronës publike. “Kauza është toka, jo emri”, thuhet në një nga pjesët qendrore të dokumentit. Manifesti ndërton tezën se Shqipëria nuk ndodhet përballë një krize të zakonshme politike, por përballë një procesi të pakthyeshëm të humbjes së kontrollit mbi asetet strategjike të vendit. Në këtë logjikë, territori paraqitet si çështje e sigurisë kombëtare. Dokumenti rendit bregdetin, portet, ishujt, tokën bujqësore dhe burimet ujore si elemente që, sipas autorëve, nuk mund të trajtohen vetëm si pasuri ekonomike, por si pjesë e sovranitetit të shtetit.