Kur Trumpi zbriti në Zvërnec E lexova me kujdes shkrimin

Kur Trumpi zbriti në Zvërnec E lexova me kujdes shkrimin

Pikat kryesore

  • E lexova me kujdes shkrimin e Fredi Abrahams për flamingot me titull;“Shqipëria, kur fluturojnë flamingot” Fredin e njoh prej shumë kohësh.
  • Aq gjatë sa nuk kam nevojë të ndalem te biografia e tij, te Human Rights Watch apo te kontributi që ai ka dhënë në momente të rëndësishme të historisë sonë.
  • Ajo që ka rëndësi është se Fredi nuk po shkruan për flamingot.

E lexova me kujdes shkrimin e Fredi Abrahams për flamingot me titull;“Shqipëria, kur fluturojnë flamingot” Fredin e njoh prej shumë kohësh. Aq gjatë sa nuk kam nevojë të ndalem te biografia e tij, te Human Rights Watch apo te kontributi që ai ka dhënë në momente të rëndësishme të historisë sonë. Kjo nuk ka rëndësi për argumentin që dua të bëj. Ajo që ka rëndësi është se Fredi nuk po shkruan për flamingot. Ai po shkruan për politikën. Në shikim të parë duket sikur artikulli i tij është një tekst për mjedisin, për lagunën e Zvërnecit dhe për rrezikun që një projekt i madh mund t’i sjellë një prej peizazheve më të bukura të Shqipërisë. Në të vërtetë, kush e lexon me kujdes e kupton se flamingot janë metafora, Zvërneci është metafora dhe madje edhe Kushner është metafora. Konflikti i vërtetë që përshkon të gjithë tekstin është konflikti mes dy botëve politike që sot po përplasen në Perëndim. Për këtë arsye mendoj se Fredi ka të drejtë në pjesën më të madhe të analizës së tij. Ai kupton diçka që shumica e debatit shqiptar nuk e kupton ende. Beteja për Zvërnecin nuk është thjesht një betejë për një lagunë dhe as vetëm për një investim. Ajo është bërë një betejë simbolike ku një pjesë e botës liberale perëndimore po përpiqet të kundërshtojë modelin politik që përfaqësohet nga Trumpi dhe nga njerëzit që identifikohen me të. Kjo është arsyeja pse Shqipëria ka marrë papritur një rëndësi më të madhe se vetja. Sepse familja Trump ndodhet këtu. Sepse Kushner ndodhet këtu. Sepse beteja simbolike që zhvillohet në Washington, Bruksel apo Berlin mund të zhvillohet edhe në bregdetin shqiptar. Deri këtu jam dakord me Fredin. Por pikërisht këtu fillon pjesa që, sipas meje, mungon në analizën e tij. Sepse protesta që po shohim para Kryeministrisë nuk mund të shpjegohet vetëm me trumpizmin. Nuk mund të shpjegohet vetëm me Kushnerin. Nuk mund të shpjegohet vetëm me ambientalizmin dhe as vetëm me rikthimin e liberalëve në skenë. Kjo protestë është shumë më e çrregullt, shumë më kontradiktore dhe shumë më interesante sesa duket në shikim të parë. E kam parë nga afër. Kam parë pankartat. Kam dëgjuar bisedat. Kam dëgjuar zemërimin. Dhe sa më shumë e kam vëzhguar, aq më shumë jam bindur se para Kryeministrisë nuk po mblidhet një lëvizje. Po mblidhen disa pakënaqësi të ndryshme që për herë të parë kanë gjetur të njëjtin shesh. Aty është Fatos Lubonja me betejën e tij shumëvjeçare kundër përqendrimit të pushtetit. Aty është Arlind Qorri me betejën e tij kundër kapitalit dhe oligarkisë. Aty janë ambientalistët që e shohin problemin te modeli i zhvillimit. Aty janë liberalët që e lexojnë gjithçka përmes konfliktit me trumpizmin. Aty janë njerëz që prej vitesh janë kundër Izraelit dhe që e shohin botën përmes konfliktit të Lindjes së Mesme. Aty janë të rinj që nuk kanë ardhur as për flamingot, as për Trumpin dhe as për Kushnerin, por sepse nuk gjejnë më një vend për veten në Shqipëri. Po të uleshin në një tavolinë dhe të diskutonin Shqipërinë e nesërme, ka shumë mundësi që të mos binin dakord për pothuajse asgjë. Megjithatë ndodhen në të njëjtin shesh. Dhe kjo nuk ndodh sepse kanë të njëjtën ide. Ndodh sepse ndajnë të njëjtën mungesë përfaqësimi. Këtu fillon historia që Fredi nuk e sheh plotësisht. Për katër vite me radhë kam argumentuar se problemi kryesor i Shqipërisë nuk ishte mungesa e pakënaqësisë ndaj Edi Ramës. Problemi ishte mungesa e një opozite që arrinte ta përfaqësonte atë pakënaqësi. Zgjedhja e Sali Berishës për të mbetur figura qendrore e opozitës shqiptare prodhoi një efekt që shumë njerëz nuk donin ta pranonin. Ajo la jashtë sistemit një pjesë të madhe të pakënaqësisë që ekzistonte në vend. Zgjedhja e Sali Berishës, si 82 vjeçar në krye te PD, për të mbetur figura qendrore e opozitës shqiptare prodhoi një efekt që shumë njerëz nuk donin ta pranonin. Ajo la jashtë sistemit një pjesë të madhe të pakënaqësisë që ekzistonte në vend.

Lini një Përgjigje