Pikat kryesore
- Pak kohë më parë kam bërë një krahasim mes kryeministrit Edi Rama dhe atletit suedez Armand Duplantis.
- Për ata që nuk e njohin, Duplantis është kërcyesi me shkop që ka thyer mbi 15 rekorde botërore.
- Është një nga më të mirët e historisë së atletikë, një atlet fenomenal.
Pak kohë më parë kam bërë një krahasim mes kryeministrit Edi Rama dhe atletit suedez Armand Duplantis. Për ata që nuk e njohin, Duplantis është kërcyesi me shkop që ka thyer mbi 15 rekorde botërore. Është një nga më të mirët e historisë së atletikë, një atlet fenomenal. Ai nuk hyn në garë për të pyetur e sqaruar veten nëse do të fitojë apo jo. Kjo është pothuajse e ditur. Sfida e tij është nëse do të thyejë edhe një rekord tjetër. Shumë vetë mund të nënqeshin me këtë krahasim. Por ai nuk synon të ngrejë në piedestal një figurë politike. Ai synon të përshkruajë një realitet. Në CV-në politike të Edi Ramës figurojnë tre fitore si kryetar bashkie dhe katër fitore si kryeministër, pa llogaritur beteja të tjera elektorale të fituara në krye të Partisë Socialiste. Ai regjistron vetëm një humbje, edhe atë në një garë ku rezultati fillestar e nxirrte fitues me një diferencë minimale ndaj Lulëzim Bashës, për t’u përmbysur më pas në një proces administrativ tepër të debatueshëm.