Pikat kryesore
- Për të dytin vit radhazi Ministria e Europës dhe Punëve të Jashtme ka hedhur për diskutim publik projekt-ligjin mbi shërbimin diplomatik.
- Ndaj është më e drejtë të flitet për “ndryshime“ në ligjin ekzistues, siç ndodh zakonisht në praktikën tonë juridike.
- Për të kuptuar më mirë shqetësimet dhe problematikat e mëposhtëme po ndalemi te diplomacia e karrierës, e cila duhet të jetë shtylla kurrizore e ligjit mbi shërbimin diplomatik.
Kujdes me Ligjin dhe diplomacinë e karrierës! Për të dytin vit radhazi Ministria e Europës dhe Punëve të Jashtme ka hedhur për diskutim publik projekt-ligjin mbi shërbimin diplomatik. Krahas interesit dhe disa vlerësimeve, ky projekt ka ngjallur edhe shumë shqetësime, madje serioze për shkak të frymës dhe përmbajtjes dhe sidomos të shumë ndryshimeve që do të dëmtonin rëndë ose siç thuhet në të tilla raste “në vend t’i vinin vetullat, do t’i nxirrnin sytë” shërbimit tonë diplomatik, sidomos atij të karrierës. Të gjithë, por veçanërisht ata që kanë qenë pjesë aktive e diplomacisë sonë deri tani vonë, ku bën pjesë edhe autori i këtyre radhëve, e pranojnë se një nga gjërat e mira që politika jonë e të dy krahëve ka bërë në 35 vitet e fundit është krijimi dhe konsolidimi i një trupe diplomatike të aftë, sipas kërkesave dhe kritereve ndërkombëtare. Pa përjashtuar gabime dhe mangësira të mëparshme, kemi një diplomaci karriere me shumë përvojë brenda dhe jashtë vendit; me diplomatë dhe ambasadorë që kanë shërbyer për disa mandate në vende të ndryshme dhe pranë organizatave ndërkombëtare, mes tyre tashmë shumë vajza dhe gra të shquara. Rikujtojmë se anëtarësimi ynë në NATO, statusi kandidat dhe tani aspirant të anëtarësimit në BE, kryesimi ynë për herë të parë i KiE-së, i OSBE-së më 2020, i nismave rajonale, zgjedhja për herë të parë anëtare jo e përhershme e KS të OKB-së më 2022 – 2023, mikpritja e disa samiteve të BE-së europianë në dhe ai i NATO-s më 2027 në Tiranë, etj janë produkte të demarsheve disavjeçare të MEPJ-së dhe përfaqësive diplomatike jashtë vendit; natyrisht në zbatim të politikës tonë të jashtme dhe të qeverive përkatëse. Në këto kushte, është e panevojshme, e pajustifikueshme dhe e dëmshme të bësh një ligj të ri në emër të gjoja dinamikave dhe reformave, kur as BE-ja nuk ta kërkon; ca më tepër kur ligjin ekzistues e ka miratuar kjo shumicë në vitin 1915. Ndaj është më e drejtë të flitet për “ndryshime“ në ligjin ekzistues, siç ndodh zakonisht në praktikën tonë juridike. Për të kuptuar më mirë shqetësimet dhe problematikat e mëposhtëme po ndalemi te diplomacia e karrierës, e cila duhet të jetë shtylla kurrizore e ligjit mbi shërbimin diplomatik. Diplomatë karriere janë ata që kanë filluar punën në diplomaci pas përfundimit të shkollës ose në periudha të mëvonshme dhe e mbyllin karrierën e tyre profesionale, në misione brenda dhe jashtë vendit. Nga kjo pikëpamje, diplomati është i ngjashëm me ushtarakun e karrierës; në të dy këto raste, vlerësimi bëhet sipas gradave. Në rastin e diplomatit, gradat fillojnë me atashe, për të kaluar në: Sekretar i Tretë, i Dytë, i Parë, e pastaj në shkallët e larta: Këshilltar, Ministër Këshilltar, Fuqiplotë dhe Ambasador. Diplomatët e karrierës dallohen dhe kanë përparësi absolute mbasi ata u shërbejnë interesave madhore dhe afatgjata të shtetit e jo të një partie apo koalicioni partish të caktuara; karriera e tyre nuk ka lidhje me rotacionin politik të një vendi.