Pikat kryesore
- Gjatë seancës që po zhvillohet në GJKKO, Monika Kryemadhi ka kundërshtuar përdorimin si provë të të dhënave të nxjerra nga telefoni i sekuestruar gjatë hetimeve.
- Kryemadhi tha se më herët kishte kërkuar kthimin e telefonit dhe sendeve të sekuestruara, por kërkesa ishte rrëzuar si nga GJKKO, ashtu edhe nga Apeli, me argumentin se telefoni nuk ishte në pronësi të saj.
- “Doja ta nisja me një kërkesë paraprake për pavlefshmërinë dhe papërdorshmërinë e të dhënave të telefonit.
Gjatë seancës që po zhvillohet në GJKKO, Monika Kryemadhi ka kundërshtuar përdorimin si provë të të dhënave të nxjerra nga telefoni i sekuestruar gjatë hetimeve. Kryemadhi tha se më herët kishte kërkuar kthimin e telefonit dhe sendeve të sekuestruara, por kërkesa ishte rrëzuar si nga GJKKO, ashtu edhe nga Apeli, me argumentin se telefoni nuk ishte në pronësi të saj. “Doja ta nisja me një kërkesë paraprake për pavlefshmërinë dhe papërdorshmërinë e të dhënave të telefonit. Kam bërë kërkesë për kthimin e sendeve dhe të telefonit, por ajo është rrëzuar. Gjyqtari e ka rrëzuar me argumentin se telefoni nuk është i imi. Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe Apeli. Edhe Prokuroria pretendonte se telefoni nuk ishte i imi, pasi u gjet në banesën e Fatime Kryemadhit,” deklaroi ajo. Sipas Kryemadhit, në kohën kur telefoni u sekuestrua, në vitin 2023, ajo ishte deputete dhe, sipas saj, organi i akuzës nuk mund të kryente kontroll pa respektuar procedurat ligjore përkatëse. “Në momentin që telefoni u sekuestrua, unë isha deputete dhe organi i akuzës nuk mund të vinte për të bërë kontroll. Ata e dinin shumë mirë që jetonim në të njëjtën shtëpi. Kontrolluan dhomën time të gjumit, edhe pse prona në hipotekë ishte në emër të Fatimes,” u shpreh Kryemadhi. Ajo shtoi se ekziston një kundërshti mes vendimeve gjyqësore dhe provave të paraqitura nga Prokuroria. “Në këto vendime thuhet se telefoni nuk është i imi, ndërkohë që rreth 190 faqe të aktakuzës bazohen pikërisht në mesazhet e nxjerra nga ai telefon. Nëse telefoni është i Fatime Kryemadhit, atëherë le të vijë ajo të sqarojë mesazhet me Vali Bizhgen, Albana Shtyllën, Engjëll Agaçin dhe personat e tjerë,” deklaroi Kryemadhi.