Pikat kryesore
- Juliana T., 40 vjeçe, lindi në Tiranën e vitit 1986, në një apartament modest 1+1 te zona e Selvisë, ku hodhi hapat e saj të parë, u rrit dhe ndërtoi kujtimet e fëmijërisë.
- Për familjet e asaj kohe, një apartament i vogël në qendër ishte jo luks, por normalitet ku kishe afër shkollën, punën dhe një komunitet që njihej me emra, jo me kontrata qiraje.
- Nënë e katër fëmijëve dhe me një mendim që dikur do t’i dukej i paimagjinueshëm: të largohet nga Tirana.
Juliana T., 40 vjeçe, lindi në Tiranën e vitit 1986, në një apartament modest 1+1 te zona e Selvisë, ku hodhi hapat e saj të parë, u rrit dhe ndërtoi kujtimet e fëmijërisë. Për familjet e asaj kohe, një apartament i vogël në qendër ishte jo luks, por normalitet ku kishe afër shkollën, punën dhe një komunitet që njihej me emra, jo me kontrata qiraje. Sot, ajo jeton në Yzberisht, në periferi, me qira. Nënë e katër fëmijëve dhe me një mendim që dikur do t’i dukej i paimagjinueshëm: të largohet nga Tirana. “Është normale të kemi zhvillim dhe të shohim gjëra të reja. Por nuk është normale të zhduket identiteti. Lagjja ku jam rritur nuk është më e njëjta. Njerëzit janë larguar, shumica e apartamenteve janë kthyer në qira afatshkurtra, njerëzit ndryshojnë çdo vit. Nuk ka më komunitet”. Problemi në këtë rast nuk është vetëm sentimental. Ai është thellësisht ekonomik. Në një qytet ku kullat ngrihen më shpejt se pagat, strehimi është kthyer nga qëllim i një familjeje, në një luks ku spekulimi ka peshën e tij. Për familjet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, ideja e blerjes së një apartamenti me kredi është gjithnjë e më pak një plan dhe gjithnjë e më shumë një iluzion. “Edhe po të punosh në emigrim, sot nuk e blen dot një shtëpi në Tiranë”, thotë Juliana. Një familje me katër fëmijë nuk mund të jetojë në një apartament 1+1, por as në një 2+1 nuk është më lehtësisht i arritshëm. Dhe ajo refuzon të paguajë “çmime stratosferike për standarde si para 15 vitesh”. Tirana, qyteti që për dekada tërhoqi pranë vetes njerëz nga e gjithë Shqipëria, po përballet me një paradoks të ri: po bëhet gjithnjë e më e vështirë për vetë tiranasit të jetojnë në të. Sot, për shumë familje, po kthehet në qytetin që duhet ta lënë pas. Edhe Juliana po mendon të bëjë të njëjtën gjë. “Në momentin e parë që do të gjej një shtëpi diku tjetër, do të iki, pa e kthyer kokën pas”, thotë ajo. Si shtresa e mesme dhe ata me të ardhura të ulëta po “dëbohen” nga qyteti Doris Andoni, sot konsulente e pavarur e angazhuar me institucione ndërkombëtare, me një karrierë të gjatë në administratën publike në çështjet e strehimit, e sheh situatën gjithmonë e më të vështirë për familjet me të ardhura të ulëta dhe ato të mesme. “Zhvillimi i sektorit rezidencial është thellësisht i pabalancuar, i paplanifikuar, i përqendruar në qendër dhe brenda Unazës së Dytë, i orientuar ekskluzivisht drejt fitimit të menjëhershëm. Investimet bëhen spontanisht, pa vizion urban, duke gëlltitur hapësirat e gjelbra dhe ato rekreative, jetike për cilësinë e jetës, duke mbingarkuar infrastrukturën, trafikun dhe çdo shërbim publik. Dhe mbi të gjitha, duke krijuar një sistem strehimi plotësisht të papërballueshëm për shtresat e varfra dhe të mesme”, pohon ajo në një intervistë për “Monitor”. Ndër të tjera, ajo thekson se ndërtimet që po realizohen në qendër të Tiranës po eliminojnë jo vetëm shtresat me të ardhura të ulëta, por edhe shtresën e mesme. “Këto shtresa po dëbohen nga qyteti dhe ky është një nga dëmet më të mëdha që po i bëhet jetës urbane, duke krijuar një përqendrim të vetëm një kategorie të caktuar. Për momentin, kjo mund të mos jetë e dukshme, por do të bëhet e qartë kur të përfundojnë ndërtimet dhe të banohen, ose kur të mos banohen, sepse ka shumë mundësi që një pjesë e madhe të mbeten të pashitura ose të kthehen në Airbnb, me karakter thjesht sezonal. Andoni. Qendra e qytetit nuk duhet të jetë luks i vetëm një kategorie, e “pasanikëve” që mund të përballojnë çmimet dhe të turistëve të vendosur në apartamente me qira afatshkurtër. Në parimet e qytetit të qëndrueshëm, ai u takon të gjithëve dhe shteti përmes politikave sociale të strehimit e mbështet këtë akses edhe për ata që nuk mund ta përballojnë. Shqipëria, parajsë për të huajt, tani po kthehen në investitorë Shqipëria prej disa vitesh po kalon një transformim të vazhdueshëm në tregun e banesave, duke u kthyer nga një treg lokal në një destinacion gjithnjë e më tërheqës për të huajt. Në një kohë kur vendet e Europës Perëndimore, por edhe më gjerë, përballen me kosto të larta jetese, Shqipëria pozicionohet si alternativë “loë-cost”, jo vetëm për turistët, por edhe për rezidentë afatgjatë. Madje, këtë përtej ekspozimit të gjerë që ka marrë si efekt i turizmit, e kanë nxitur edhe një sërë politikash të orientuara drejt tërheqjes së pensionistëve të huaj, apo nomadëve digjitalë. Agjentët imobiliarë thanë së fundmi për “Monitor” se qiratë dhe kostoja më e ulët e jetesës po e bëjnë Shqipërinë destinacion të parapëlqyer. Fillimisht disa vite më parë do të ishin italianët që do ta eksploronin këtë mundësi duke u vendosur kryesisht në Durrës e më pak në Vlorë. Tashmë, interesi është në rritje edhe nga pensionistët amerikanë. Në një shkrim të pak javëve më parë “Një amerikan në qytet”, “Monitor” ndalej pikërisht në këtë tendencë. Lisa Spence, 62 vjeçe, nga shteti i Alabamës në SHBA, jeton në Vlorë prej tetorit të vitit të shkuar. Ajo tha se zgjedhja e Shqipërisë erdhi si efekt i kostos së ulët të jetesës dhe leverdishmërisë ekonomike, duke pasur parasysh të ardhurat e saj mujore nga pensioni me vlerë 2,200 USD. Ajo jeton në një apartament me qira në zonën e Lungomares në Vlorë. Për një apartament me dy dhoma dhe ballkon me pamje panoramike, paguan 400–500 USD në muaj, ndërsa në SHBA, një pronë e ngjashme sipas saj, do të kushtonte minimalisht 1,400 USD. Edhe pensionistët nga Mbretëria e Bashkuar janë një tjetër grup që po shfaq interes për Shqipërinë, që e shohin si një vend më të leverdishëm për të jetuar. Ky kombinim faktorësh po krijon një avantazh të qartë për të huajt, të cilët kanë fuqi blerëse shumë më të lartë se ajo vendase. Pra, një i huaj hyn në treg me një kapacitet financiar disa herë më të madh se një familje vendase dhe ndikimi nuk është vetëm pozitiv dhe ka disa elemente që e tregojnë këtë.