Pikat kryesore
- Kjo është vërtet shumë e rëndësishme”, u tha Kos gazetarëve në Bruksel.
- “Ajo që po bëjmë tani është të verifikojmë vazhdimisht nëse të gjitha vendet përfituese të fondeve nga Plani i Rritjes i përmbushin kriteret.
- Dhe është e vërtetë se, që nga miratimi i ligjeve për drejtësinë para disa muajsh, nuk kemi kryer asnjë pagesë, por nuk është marrë asnjë vendim formal për mosdhënien e tyre”, shtoi ajo më 11 maj.
Megjithëse nuk ekziston një vendim formal për ngrirjen e mjeteve financiare për Serbinë, komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, pranoi se Beogradi nuk ka marrë fonde evropiane që nga miratimi i ligjeve për drejtësinë. “Asnjëherë nuk kam thënë se fondet janë ngrirë. Kjo është vërtet shumë e rëndësishme”, u tha Kos gazetarëve në Bruksel. “Ajo që po bëjmë tani është të verifikojmë vazhdimisht nëse të gjitha vendet përfituese të fondeve nga Plani i Rritjes i përmbushin kriteret. Dhe është e vërtetë se, që nga miratimi i ligjeve për drejtësinë para disa muajsh, nuk kemi kryer asnjë pagesë, por nuk është marrë asnjë vendim formal për mosdhënien e tyre”, shtoi ajo më 11 maj. Komisionarja Kos kishte deklaruar më 30 prill se Komisioni Evropian kishte ndaluar pagesën e mjeteve financiare për shkak të ligjeve kontestuese për drejtësinë. “Për momentin kemi ndalur të gjitha pagesat nga Plani i Rritjes, sepse Serbia ka shënuar prapakthim në fushën e drejtësisë dhe, derisa ta korrigjojë këtë, nuk do të mund të marrë mbështetje financiare nga BE-ja”, kishte deklaruar Kos. Ligjet kontestuese, të ashtuquajturat “ligjet e Mërdiqit”, të miratuara në janar të këtij viti, për Bashkimin Evropian paraqesin një hap prapa në procesin e integrimit të Serbisë drejt BE-së. Komisionarja Kos ka paralajmëruar edhe më herët, në disa raste, se këto ligje e kufizojnë pavarësinë e gjyqësorit. Kos tha se, nëse Komisioni Evropian konstaton se Serbia i ka përmbushur kriteret për pagesë, atëherë do t’i marrë edhe fondet që i janë ndarë nga Plani i Rritjes. “Statusi i vendit kandidat sjell obligime nga të dyja palët dhe ne presim nga vendi kandidat që të përparojë, e jo të shënojë prapakthim në fusha të caktuara”, porositi komisionarja Kos. Nga fondet e Planit të Rritjes, për Serbinë janë planifikuar 1.588 miliard euro për periudhën 2024-2027. Kjo shumë përfshin grante dhe kredi të destinuara për mbështetjen e reformave, ndërsa mjetet paguhen dy herë në vit, në bazë të përparimit të bërë. Në janar, Serbia mori pak më shumë se gjysmën e fondeve të alokuara nga kësti i parë i Planit të Rritjes, pasi u zbulua se kishte përmbushur vetëm tri nga shtatë reformat e planifikuara. Në vend të 112 milionë eurove të planifikuara, ajo mori 61.1 milionë euro. Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është një iniciativë e BE-së, e miratuar në fund të vitit 2023, me qëllim përshpejtimin e afrimit ekonomik të rajonit me BE-në dhe mundësimin e qasjes graduale të tij në pjesë të tregut të përbashkët, para anëtarësimit të plotë. Institucionet evropiane kanë ndarë gjithsej gjashtë miliardë euro për këtë program, për periudhën 2024-2027./ REL