Pikat kryesore
- Kërkesa e vazhdueshme e vëzhguesve të protestës për një përfaqësim politik të saj është pa kuptim.
- Të tjerët, qofshin këta zëdhënës të protestës, qofshin qejfli të protestës, janë pjesë e sistemit politik.
- Politikisht, e vetmja parti që ka një frymëzim ideologjik të majtë, që imiton revolucionarët por që në fund derivon në një parti sistemi, është lëvizja Bashkë e Arlind Qorrit.
Kërkesa e vazhdueshme e vëzhguesve të protestës për një përfaqësim politik të saj është pa kuptim. Është pa kuptim, pasi protestat prodhojnë parti politike shumë rrallë në histori, zakonisht kur ndërrojnë epoka historike, siç është rënia e komunizmit që nuk i lejonte partitë politike, apo kur lëvizje ideologjike udhëheqin revolucione dhe më pas kthehen në parti politike. Në situatën ku gjendet Shqipëria, me parti tradicionale, me një qeverisje të formatuar brenda rregullave të FMN-së, Bankës Botërore, Bashkimit Evropian, NATO-s dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare, e vetmja hapësirë për parti të reja qëndron tek partitë jashtë sistemit tonë, që janë ose parti ideologjike ultra të majta ose parti me frymëzim fetar, ku islami politik duket qartë në horizont. Të tjerët, qofshin këta zëdhënës të protestës, qofshin qejfli të protestës, janë pjesë e sistemit politik. Politikisht, e vetmja parti që ka një frymëzim ideologjik të majtë, që imiton revolucionarët por që në fund derivon në një parti sistemi, është lëvizja Bashkë e Arlind Qorrit. Edhe pse e kanë retorikën antisistem, siç e ka pasur Syriza në Greqi apo homologët e tyre në Spanjë, ato moderohen në parti të këtij sistemi. Këta janë dhe ata që qëndrojnë pas protestës, të cilët janë në zemër të organizimit të protestës sidomos pjesës së marshimit në rrugë pas shfaqjes në bulevard. Pastaj janë dhe këto dy partitë e tjera të Shehajt dhe Lapajt që janë qejfli protestash dhe përpiqen të identifikohen me to. Ata nuk janë as antisistem, as ideologjikë. Ata janë ëndërrues pushteti, meqë u duket biznes i mirë. Është kjo arsyeja që debati për formimin e ndonjë partie politike nga protesta shmanget dhe injorohet në emër të shmangies së përçarjes. Pjesa tjetër e protestës janë grupet e margjinalizuara apo radikale, disa njerëz të islamit politik, disa që flasin hapur në emër të Iranit, dhe disa adhurues të teorive konspirative apo antisoros. Ata mos prisni të bëjnë parti, por dhe në bëfshin, nuk e përfaqësojnë dot protestën. Janë thjesht njerëz që kanë nevojë të kenë profetët e tyre. OJQ-të e Sorosit, të cilat mbajnë dhe peshën kryesore të organizimit dhe financimit të protestës, nuk e kanë objektiv të formojnë parti politike, por të ndikojnë mbi partitë politike që janë. Ndaj mos prisni parti politike nga protesta, se ata që e kanë në dorë protestën e kanë dhe partinë e tyre. Të tjerët e kanë protestën vetëm për marketing dhe si një rast për t’u shfaqur në ekrane çdo natë. Temat e tjera të pakënaqësive sociale apo korrupsionit janë tema të sistemit dhe jo të antisistemit. Fjala vjen, temën e korrupsionit Evropa ia ka besuar në Shqipëri sistemit të drejtësisë dhe SPAK-ut. Lufta kundër korrupsionit nuk është më opsion elektoral në Shqipëri, por është luftë institucionale përmes drejtësisë së re. Me të meta a pa të meta, me teprime, me represion apo me vendosmëri, pra me gjithë të mirat dhe të këqijat e saj, ajo betejë nuk i besohet më politikës, por SPAK-ut dhe gjykatave. Kjo çështje është e mbyllur dhe nuk ka nevojë të ketë parti të SPAK apo parti anti-SPAK, se as i prishin punë SPAK-ut, as i ndreqin. Kështu që këta që “fatwa” nëpër sheshe kundër korrupsionit në emër të protestës bëjnë mirë të shikojnë letrat e tyre se mund t’i gjejë belaja. Protesta në Shqipëri janë një amalgamë qëndrimesh “patriotike”, nacionaliste, islamike, proteksioniste deri armiqësore ndaj investimeve të huaja dhe nga ana tjetër një demonstrim lirie, vlerash të përbashkëta dhe nervi qytetar. E vetmja vlerë e përbashkët e tyre është se janë një gjimnastikë demokratike, e cila i bën mirë shoqërisë. Për këtë arsye këto protesta prodhojnë politikë, por jo parti politike. Do prodhojnë efekte politike. Ato mund të dëmtojnë shumicën, mund të dëmtojnë PD-në, mund të rrisin partitë e vogla apo të rrisin abstenimin, por parti politike që të përfaqësojë protestën nuk mund të ketë. Lider jo e jo, se liderët dalin, nuk bëhen me porosi.