Pikat kryesore
- Protesta që prej 26 ditësh zhvillohet në Tiranë kundër projektit të investimit në Zvërnec dhe Sazan nuk është më thjesht një reagim qytetar apo mjedisor.
- E gjithë protesta është e stisur nga faktorë që nuk e duan Shqipërinë.
- Kjo protestë nisi për një investim amerikan, krejt papritur e pa kujtuar.
Protesta që prej 26 ditësh zhvillohet në Tiranë kundër projektit të investimit në Zvërnec dhe Sazan nuk është më thjesht një reagim qytetar apo mjedisor. Të paktën kështu e sheh analisti Ruel Domi, i cili argumenton se ajo është shndërruar në një lëvizje me ngarkesë të madhe politike dhe gjeopolitike, ku, sipas tij, janë përfshirë shumë faktorë që nuk ia duan të mirën Shqipërisë. I ftuar në emisionin “Studio Live” në Report TV me gazetarin Emal Qori, Domi tha se protesta ka kaluar prej kohësh kufijtë e kundërshtimit të një projekti turistik dhe është kthyer në një kauzë të pastër kundër investimit amerikan. “Nuk mund të shkatërrojmë Shqipërinë që të ikë Edi Rama. E gjithë protesta është e stisur nga faktorë që nuk e duan Shqipërinë. Kjo protestë nisi për një investim amerikan, krejt papritur e pa kujtuar. Sektet pjesëmarrëse, marksistët, sovranistët, komunistët janë antiamerikanë. Kjo është protestë antiamerikane. Ka edhe elementë të Vetëvendosjes të Albin Kurtit, një antiamerikan i thekur. Kjo protestë nisi për një arsye idiote”, deklaroi ai. Për më tepër, sipas tij, kërkesa për një qeveri teknike e artikuluar në protestë, në këtë moment është e gabuar, pasi Shqipëria ndodhet në një fazë të rëndësishme të procesit të integrimit europian. “Të kërkosh qeveri teknike tani është e dëmshme për Shqipërinë. Shqipëria është pranë anëtarësimit në BE. Ka marrë notë pozitive në IBAR dhe nuk ka nevojë për destabilitet të shtuar. Pikërisht tani ngrihen njerëzit dhe ka logjikë që këtu ka njerëz që nuk ia duan Shqipërisë të mirën dhe përdorin mllefin e njerëzve për të goditur qeverinë dhe shqiptarët. Më shumë elementë antiamerikanë se kësaj here nuk ka pasur asnjëherë”, tha Domi. Në analizën e tij, Domi u ndal edhe te figurat që janë bërë pjesë e protestës, duke përmendur Arlind Qorin dhe Dritan Goxhajn, për të cilët tha se po paraqiten si mbrojtës të vendit nga “imperializmi amerikan”. “Nuk ka projekt. Nuk mund të ngrihen pupthi për të mbrojtur pelikanët kaçurrelë, kur në këtë vend në 35 vjet është bërë batërdi me pronat dhe nuk kanë ngritur kurrë zërin. Vjen investitori amerikan dhe Arlind Qori e Dritan Goxhaj, heronjtë sovranistë, dalin për të na mbrojtur nga imperializmi amerikan. Të lutem!”, u shpreh ai. Domi e mbylli analizën duke ngulur këmbë se protesta ka humbur karakterin e saj dhe është kthyer në një përplasje që nuk i shërben interesave të Shqipërisë.