Kushërira e së ndjerës Xhuana Nikolli, Mira Nikolli, ka rrëfyer për herë të parë disa detaje rreth ngjarjes së rëndë gjatë një interviste në emisionin Shqipëria Live.
E prekur nga humbja, ajo tregoi se sipas familjarëve, 25-vjeçarja kishte përjetuar një situatë të vështirë në martesën e saj, ku përmendi edhe pretendime për presion dhe dhunë nga ana e vjehrrës. Sipas saj, tensionet në familje u shtuan në momentin kur Xhuana kishte kërkuar që të jetonin në një shtëpi më vete me bashkëshortin.
Në rrëfimin e saj, Mira Nikolli theksoi se Xhuana Nikolli ishte rritur në një familje të thjeshtë, ku prindërit kishin rritur katër vajza me shumë sakrifica. Ajo kishte ndjekur studimet për juridik dhe kishte punuar në një zyrë noterie në Lezhë, përpara se të vendoste të niste një kapitull të ri të jetës në Tiranë.
Sipas saj, martesa e Xhuanës kishte zgjatur vetëm tre muaj dhe ndarja mes çiftit ishte bërë me mirëkuptim. Familja e saj e kishte mbështetur vendimin për t’u larguar nga një ambient që ajo e përshkroi si toksik. Megjithatë, sipas deklaratave të familjarëve, marrëdhënia me vjehrrinë kishte qenë problematike dhe bashkëshorti, sipas saj, ishte shumë i ndikuar nga nëna e tij.
Kushërira e së ndjerës ngriti gjithashtu disa pikëpyetje mbi rrethanat e ngjarjes, duke theksuar se e reja kishte qenë e lumtur për jetën e re që po niste. Ajo tregoi se Xhuana Nikolli kishte folur me nënën e saj në mëngjes dhe dukej e gëzuar për punën e re, ndërsa në mbrëmje familja kishte planifikuar të festonte ditëlindjen e një prej fëmijëve në familje.
“Nuk e kuptoj pse një vajzë 25 vjeçe që po niste një jetë të re duhet të merrte një vendim të tillë pikërisht atë ditë”, u shpreh ajo, duke shtuar se vetëm personat e përfshirë mund të dinë të vërtetën e plotë për atë që ka ndodhur.
Në fund të rrëfimit të saj, Mira Nikolli ngriti edhe dyshime mbi ekzistencën e një letre që pretendohet se është lënë nga e reja, duke pyetur nëse ajo është shkruar vërtet nga Xhuana Nikolli apo nga dikush tjetër. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje vijojnë nga autoritetet.