Irani peshon përgjigjen pas aktivizimit të mekanizmit për rivendosjen e sanksioneve

Anëtarët e linjës së ashpër të udhëheqjes janë në favor të konfrontimit: kufizimit të mëtejmë të inspektorëve, përshpejtimin e pasurimit të uraniumit, madje edhe kërcënimin e rrugëve detare në Ngushticën e Hormuzit. Disa kanë sugjeruar pezullimin e bisedimeve me Agjencinë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (IAEA) për shqyrtimin e bashkëpunimit. Një opsion shumë i diskutuar është edhe tërheqja nga Traktati për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT). Por, të tjerë favorizojnë dialogun. Vendimi i grupit E3, i marrë vetëm disa javë para se autoriteti i tyre për të vepruar të skadonte, e vë në lëvizje një afat 30-ditor: nëse nuk arrihet një kompromis, të gjitha sanksionet e OKB-së që ishin hequr sipas marrëveshjes bërthamore do të rivendosen. Teherani e ka dënuar vendimin, duke e cilësuar si “të pajustifikuar dhe të paligjshëm” dhe duke akuzuar evropianët për shkelje të zotimeve të tyre. Irani po ashtu është zotuar se do të ndërmarrë “veprime”. Tërheqja nga Traktati për Mospërhapje të Armëve Bërthamore do të ishte një nga hapat më dramatikë. I nënshkruar në vitin 1968 dhe në fuqi që nga viti 1970, Traktati u ndalon shteteve bërthamore ndarjen e arsenalit dhe u imponon shteteve jobërthamore të mos i ndërtojnë ato, teksa garanton qasje në teknologjinë bërthamore paqësore. Irani iu bashkua këtij traktati që kur u nënshkrua. Tërheqja do të zgjaste me muaj dhe shihet kryesisht si mjet presioni më shumë sesa si politikë e menjëhershme, por do të kishte një simbolikë të madhe. Ligjvënësit e linjës së ashpër në Parlamentin iranian, i cili dominohet nga konservatorët, tashmë kanë hartuar një projektligj me “urgjencë të trefishtë” për të përshpejtuar tërheqjen. Nëse prezantohet, ai do të diskutohej, votohej dhe shqyrtohej nga Këshilli i Gardës brenda një dite të vetme. Dhe kjo vë në pah se sa shpejt Teherani mund ta përshkallëzojë situatën. E3-shja ka dhënë pak rrugëdalje, duke i ofruar Iranit një shtyrje gjashtëmujore të sanksioneve nëse rikthen qasjen e plotë për inspektorët dhe rifillon bisedimet. Por, me ekonominë e goditur rëndë nga sanksionet dhe keqmenaxhimi, si dhe me faktin që Rusia dhe Kina nuk mund ta bllokojnë këtë proces pasi për të nuk mund të përdoret vetoja, Teherani përballet me zgjedhje të vështira. Edhe pse teorikisht është e mundur një përparim diplomatik në minutën e fundit, politika e brendshme dhe skepticizmi ndërkombëtar bëjnë që një rezultat i tillë të jetë pak i mundshëm, veçmas duke pasur parasysh hezitimin e Iranit për të krijuar përshtypjen se po tërhiqet për shkak të presionit./REL/

Lini një Përgjigje