Indrit Sefa: Berisha e ka pushtuar Partinë Demokratike, por demokratët e kanë braktisur…

Indrit Sefa: Berisha e ka pushtuar Partinë Demokratike, por demokratët e kanë braktisur…

Pikat kryesore

  • “Sali Berisha e ka pushtuar Partinë Demokratike, por demokratët e kanë braktisur atë.
  • Më shumë se 85% e tyre nuk angazhohen më dhe nuk do ta votojnë”, është analiza e Indrit Sefës, ish-sekretar për çështjet ligjore dhe zgjedhjet në Partinë Demokratike.
  • Në një intervistë për Tema, ai flet për zgjedhjet në PD, ku sipas tij nuk ekziston asnjë element gare dhe po imponohet me dorë të fortë, në mënyrë thuajse diktatoriale, kandidatura e vetme e Sali Berishës.

“Sali Berisha e ka pushtuar Partinë Demokratike, por demokratët e kanë braktisur atë. Më shumë se 85% e tyre nuk angazhohen më dhe nuk do ta votojnë”, është analiza e Indrit Sefës, ish-sekretar për çështjet ligjore dhe zgjedhjet në Partinë Demokratike. Në një intervistë për Tema, ai flet për zgjedhjet në PD, ku sipas tij nuk ekziston asnjë element gare dhe po imponohet me dorë të fortë, në mënyrë thuajse diktatoriale, kandidatura e vetme e Sali Berishës. Sefa ndalet edhe te përvoja e tij në PD që në fillimet e kësaj force politike, kur, siç thotë ai, iu desh të pranonte se gara e vërtetë nuk ka qenë kurrë kulturë e kësaj partie. Duke komentuar përjashtimet nga gara dhe largimet nga partia me metoda që ai i cilëson diktatoriale, Sefa shprehet se Berisha e ka pushtuar Partinë Demokratike, por shumica e demokratëve janë tërhequr dhe e shohin me përbuzje atë që po ndodh sot në selinë blu. Sipas tij, ata nuk janë larguar shpirtërisht nga PD, por presin shfaqjen e një figure tjetër që të përballet me Berishën dhe mënyrën e tij të drejtimit të partisë. Indrit Sefa deklaron se demokratët e distancuar nga PD janë mbi 85% dhe se një proces zgjedhor me kandidat të vetëm dhe me pjesëmarrje të ulët nuk mund të jetë legjitim. Ai lidh përjashtimin e të gjithë sfidantëve të Berishës edhe me frikën nga bojkoti masiv që demokratët mund t’i bëjnë procesit të 23 majit. Sipas Sefës, largimi i kandidatëve nga gara synon edhe shmangien e pranisë së vëzhguesve të tyre në procesin e votimit, duke e lënë gjithë administrimin e zgjedhjeve nën kontroll të plotë të strukturave të Berishës. Kjo, sipas tij, hap rrugë për manipulime të mundshme me pjesëmarrjen dhe shifrat e anëtarësisë ditën e votimit. Ish-sekretari demokrat sjell në vëmendje edhe paradoksin e një partie që, sipas tij, manipulon proceset brenda vetes, ndërsa kërkon të bindë shqiptarët se i janë vjedhur zgjedhjet nga kundërshtarët politikë. “Nëse Partia Demokratike do të vazhdojë të ekzistojë”, thotë Indrit Sefa, “Berisha nuk do ta ketë të lehtë të qëndrojë gjatë në krye të saj, sepse demokratët nuk do të vazhdojnë të falin gabimet e panumërta dhe dramatike të tij”. Sefa thekson ndër të tjera se Berisha nuk u dha demokratëve mundësinë ta mbanin si lider shpirtëror, ashtu siç, sipas tij, duhej të kishte ndodhur.

Lini një Përgjigje