Hita takon studentët e Akademisë së Sigurisë: Policia ka nevojë për profesionistë me…

Hita takon studentët e Akademisë së Sigurisë: Policia ka nevojë për profesionistë me…

Pikat kryesore

  • Gjatë fjalës së tij, Hita vlerësoi zgjedhjen e të rinjve për t’iu bashkuar Akademisë së Sigurisë, duke e cilësuar atë si një vendim që kërkon guxim, disiplinë dhe ndjenjë të lartë përgjegjësie.
  • “Zgjedhja juaj për t’iu bashkuar Akademisë së Sigurisë është për t’u vlerësuar, një zgjedhje e rëndësishme për jetën tuaj dhe për kontributin në shoqëri.
  • Është një vendim që flet për guxim dhe për dëshirën për t’i shërbyer vendit”, u shpreh ai.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita ka zhvilluar një takim me studentët e Fakultetit të Sigurisë dhe Hetimit, si edhe me punonjës policie që po trajnohen për hetimin e krimit në Akademinë e Sigurisë, ku theksoi rëndësinë e integritetit, profesionalizmit dhe besimit të qytetarëve ndaj Policisë së Shtetit. Gjatë fjalës së tij, Hita vlerësoi zgjedhjen e të rinjve për t’iu bashkuar Akademisë së Sigurisë, duke e cilësuar atë si një vendim që kërkon guxim, disiplinë dhe ndjenjë të lartë përgjegjësie. “Zgjedhja juaj për t’iu bashkuar Akademisë së Sigurisë është për t’u vlerësuar, një zgjedhje e rëndësishme për jetën tuaj dhe për kontributin në shoqëri. Është një vendim që flet për guxim dhe për dëshirën për t’i shërbyer vendit”, u shpreh ai. Kreu i Policisë së Shtetit theksoi se Akademia e Sigurisë funksionon sipas standardeve bashkëkohore dhe është e integruar me praktikat më të mira ndërkombëtare. “Akademia është e akredituar nga Ministria e Arsimit, me standarde bashkëkohore dhe e integruar me praktikat më të mira ndërkombëtare. Ju studioni me kurrikula të Akademisë së Policisë italiane” , deklaroi Hita. Në mesazhin e tij drejtuar studentëve, ai ndau tre këshilla kryesore: seriozitetin ndaj dijes, ruajtjen e integritetit dhe përkushtimin ndaj misionit të zgjedhur. “Do t’ju këshilloja për tre gjëra: merreni seriozisht dijen, ruani integritetin dhe mos harroni pse keni zgjedhur këtë rrugë. Besimi i qytetarëve fitohet çdo ditë, me ndershmëri dhe përgjegjësi” , tha Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Ai nënvizoi se Shqipëria ka nevojë për profesionistë të rinj në radhët e policisë dhe garantoi mbështetje për studentët dhe efektivët në trajnim. “Shqipëria ka nevojë për ju, ne kemi nevojë për ju. Unë besoj te ju dhe keni mbështetjen time të plotë” , u shpreh Hita. Më pas, Hita zhvilloi edhe një takim me punonjës policie që po trajnohen në fushën e hetimit të krimit, ku theksoi rëndësinë e rritjes së vazhdueshme profesionale dhe përgatitjes së specializuar për përmbushjen me efikasitet të detyrës.

Lini një Përgjigje