Një detaj prekës ka dalë në dritë pas aksidentit tragjik që ndodhi në hyrje të qytetit të Peqinit, ku humbën jetën dy të rinj.
Njëri prej viktimave është Gabriel Lluca , një 24-vjeçar me një histori të jashtëzakonshme mbijetese që ka prekur shumë zemra.
Gabrieli i kishte mbijetuar një aksidenti të rëndë në moshën 8-vjeçare, pikërisht pranë shkollës “Demir Godelli” në Peqin, aty ku ndodhet edhe banesa e familjes Lluca.
Një automjet i kishte kaluar trupit të vogëlushit, duke i shkaktuar plagë të rënda dhe fraktura të shumta.
Në të njëjtin qytet ku dikur i kishte shpëtuar vdekjes, Gabriel Lluca humbi jetën në mesnatën e së dielës, pas një aksidenti të rëndë automobilistik.
Ngjarja tronditi familjen, miqtë dhe bashkëmoshatarët, të cilët e kujtojnë si një djalë energjik, të dashur dhe gjithmonë të buzëqeshur.
Gabrieli ishte një nga katër fëmijët e familjes Lluca.
Tre vite më parë, familja përjetoi edhe një tjetër humbje të rëndë, ndarjen nga jeta të babait të tij, Agron Lluca.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
Janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë në zonë dhe po bëhen verifikime për shpejtësinë e automjetit si dhe gjendjen e rrugës në momentin e ngjarjes.