Pikat kryesore
- Tensionet në Lindjen e Mesme rikthejnë rritjen e çmimit të naftës në tregjet botërore.
- Efekti mbërrin edhe në Shqipëri, ku karburantet shtrenjtohen sërish.
- Nga më pak se 72 dollarë për fuçi në fund të qershorit, çmimi i naftës së papërpunuar bruto në bursë është rritur në mbi 90 dollarë.
Tensionet në Lindjen e Mesme rikthejnë rritjen e çmimit të naftës në tregjet botërore. Efekti mbërrin edhe në Shqipëri, ku karburantet shtrenjtohen sërish. Konsumatorët përballen me një tjetër goditje në xhep. Paqja e brishtë zgjati më pak se një muaj. Po aq edhe çmimet “normale” të karburanteve. Nga më pak se 72 dollarë për fuçi në fund të qershorit, çmimi i naftës së papërpunuar bruto në bursë është rritur në mbi 90 dollarë. Shqipëria është një ekonomi e vogël dhe pothuajse e ekspozuar plotësisht ndaj luhatjeve të tregjeve ndërkombëtare. Kur rriten kostot e importit, efekti nuk mbetet vetëm te karburantet, por reflektohet edhe te transporti, prodhimi dhe çmimet e shumë mallrave e shërbimeve”, tha Artur Ribaj, pedagog, ekspert ekonomie. Me qeverinë që zhbëri Bordin e Transparencës dhe trupat inspektuese, përcaktimi i çmimi ka mbetur vetëm në dorë të operatorëve në tregun e karburanteve. Autoritetit i Konkurrencës “ka ngritur duart” prej kohësh në kë drejtim. “Në një treg funksional duhet të ketë monitorim dhe konkurrencë reale, në mënyrë që luhatjet e çmimeve të jenë të justifikuara. Kur mungojnë mekanizmat efektivë të mbikëqyrjes, krijohen dyshime se konsumatori mund të paguajë më shumë sesa diktojnë zhvillimet reale në tregjet ndërkombëtare”, u shpreh Ribaj. Shqipëria është aktualisht vendi i parë në rajon, i shtati në Europë dhe i 10-i në botë për çmimin më të lartë të naftës. Në botë është Hong-Kongu shteti me çmimin më të lartë për një litër naftë, mbi 3.77 euro për litër.