Pikat kryesore
- Seanca e radhës në GJKKO për dosjen “Partizani”, është shoqëruar me debate dhe replika mes palëve, gjatë dëshmisë së kreut të Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla.
- Balla, i thirrur në cilësinë e kallëzuesit dhe dëshmitarit, u pyet nga avokatët mbrojtës të Jamarbër Malltezit dhe Sali Berishës mbi mënyrën se si ka siguruar provat dhe bazën e kallëzimit të tij.
- Avokati i Malltezit, Klodian Skënderi, kërkoi sqarime mbi kallëzimin, duke pyetur nëse ai ishte bërë në cilësinë e deputetit apo qytetarit dhe nëse ishte shoqëruar me prova.
Seanca e radhës në GJKKO për dosjen “Partizani”, është shoqëruar me debate dhe replika mes palëve, gjatë dëshmisë së kreut të Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla. Balla, i thirrur në cilësinë e kallëzuesit dhe dëshmitarit, u pyet nga avokatët mbrojtës të Jamarbër Malltezit dhe Sali Berishës mbi mënyrën se si ka siguruar provat dhe bazën e kallëzimit të tij. Avokati i Malltezit, Klodian Skënderi, kërkoi sqarime mbi kallëzimin, duke pyetur nëse ai ishte bërë në cilësinë e deputetit apo qytetarit dhe nëse ishte shoqëruar me prova. Balla u përgjigj se të gjitha materialet që kishte në dispozicion i kishte bashkëngjitur kallëzimit. Ai theksoi se informacionet i kishte siguruar nga qytetarët, media dhe burime të tjera, përfshirë edhe të drejtën ligjore si deputet për të kërkuar informacion nga institucionet. I pyetur nëse kishte marrë përgjigje nga Ministria e Mbrojtjes për dokumentet e dorëzuara, Balla tha se nuk i kujtohej dhe se duhej të verifikonte në kallëzim. Në lidhje me mënyrën e dorëzimit të kallëzimit, ai deklaroi fillimisht se e kishte dorëzuar dorazi në prokurori, ndërsa më pas shtoi se mund të jetë dorëzuar nga një punonjës i Kuvendit. “Për herë të 17 po them, bazuar në dyshime kam marrë vendimin të bëj këtë kallëzim”, u shpreh Balla. Gjatë përgjigjeve, trupi gjykues i tërhoqi vëmendjen Ballës për të respektuar rolin e tij në proces. “Mbani vendin tuaj, jeni thjesht dëshmitar. Nuk lejohen komentet” , u shpreh gjykata. Në vijim, avokati Skënderi e pyeti Ballën mbi ekzistencën e dokumenteve për marrëveshje mes shtetit shqiptar dhe atij italian, si dhe për çështje të shpronësimeve. Balla deklaroi se nuk i kujtohej nëse kishte parë dokumente të tilla, ndërsa për një shkresë të viteve 1993-1994 tha se ishte referuar nga burime publike. Ai shtoi se, sipas njohurive të tij si qytetar, shpronësimi nënkupton marrjen e pronës për qëllime shtetërore. Përballja me avokatin e Berishës Avokatja e Sali Berisha, Klodiana Gjyzari, e pyeti Ballën mbi gjendjen e objekteve në momentin e hetimit. Balla u përgjigj se ato ishin në gjendje të mirë dhe të rikonstruktuara, por shtoi se sipas tij ishin privatizuar me një vlerë “qesharake”. I pyetur mbi vlerën reale, ai tha se nuk ishte ekspert, por vlerësoi se duhet të ishte “ndoshta 10 herë më e lartë”. Nga ana tjetër, avokati Sokol Mëngjesi kërkoi të dinte se kush ishte favorizuar nga procesi i privatizimit. Balla deklaroi se sipas tij përfitues kanë qenë Jamarbër Malltezi dhe subjekte të lidhura me shoqëritë përkatëse, duke shtuar se dyshimet lidhen edhe me ndikimin e tij si dhëndër i ish-kryeministrit. “Unë jam këtu si kallëzues. Nëse do të kisha të gjitha faktet, nuk do të kishte nevojë për prokurorinë”, tha ai.