Pikat kryesore
- Në fjalimin e tij, Hoxha u ndal te vlera e gjuhës si një element themelor i identitetit, duke e cilësuar atë si “ADN-në tonë, kujtesë, identitet dhe vazhdimësi”.
- Ai theksoi se përpjekjet për ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe janë përpjekje për të ruajtur vetë qenien kombëtare.
- Ministri nënvizoi se përgjegjësia për ta mbrojtur dhe forcuar gjuhën bie mbi vetë shqiptarët, veçanërisht në një kohë kur ata janë më të arsimuar dhe më të lidhur se kurrë më parë.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, në fjalën hyrëse në Samitin e IV të Diasporës, theksoi rolin thelbësor të diasporës shqiptare si pjesë e pandashme e identitetit kombëtar, duke vënë theks të veçantë te rëndësia e ruajtjes së gjuhës shqipe. Në fjalimin e tij, Hoxha u ndal te vlera e gjuhës si një element themelor i identitetit, duke e cilësuar atë si “ADN-në tonë, kujtesë, identitet dhe vazhdimësi”. Ai theksoi se përpjekjet për ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe janë përpjekje për të ruajtur vetë qenien kombëtare. Ministri nënvizoi se përgjegjësia për ta mbrojtur dhe forcuar gjuhën bie mbi vetë shqiptarët, veçanërisht në një kohë kur ata janë më të arsimuar dhe më të lidhur se kurrë më parë. Ai përmendi edhe kërkesat e studentëve shqiptarë në Maqedonia e Veriut për të drejtat në gjuhën amtare, duke i cilësuar ato si legjitime. “Gjuha shqipe, ajo është ADN-ja jonë, është kujtesë, identitet, vazhdimësi. Përpjekjet për gjuhën janë përpjekje për të qenë vetvetja. Nëse gjuha jonë dobësohet sot kur jemi më të ditur e më të fortë e të lidhur, përgjegjësia është vetëm e jona. Ky është mesazhi i kërkesës legjitime të studentëve në Maqedoninë e Veriut për të fituar të drejtat e tyre në gjuhën amëtare. Këtë duhet të keni parasysh dhe për mësuesit, vullnetarët e organizatorët në diasporë që mbajnë gjallë gjuhën tonë”, u shpreh Hoxha. Një vlerësim të veçantë Hoxha i kushtoi mësuesve, vullnetarëve dhe organizatorëve në diasporë që kontribuojnë në ruajtjen e gjuhës shqipe, duke theksuar se ata meritojnë më shumë mbështetje konkrete nga institucionet. Ai shtoi se Ministria dhe qeveria janë të angazhuara për të forcuar këtë mbështetje. “Ata meritojnë mirënjohje e shumë mbështetje konkrete dhe për këtë jam shumë i organizuar bashkë me ekipin e ministrisë dhe qeverinë. Forca jonë, të jemi të hapur, të mësojmë gjuhë të reja pa harruar tonën, të ndërtojmë ura me të tjerët pa shembur themelet tona. Ne kemi marrë angazhimin që gjuhën shqipe pjesë e familjes së madhe indo-europiane, ta çojmë në vendin që meriton në familjen e madhe europiane. Historia e diasporës, histori sakrifice, qëndrese e përkushtimi, histori suksesi”, u shpreh ministri. Hoxha deklaroi gjithashtu se Shqipëria ka marrë angazhimin për ta çuar gjuhën shqipe, si pjesë e familjes indo-evropiane, në vendin që meriton në hapësirën evropiane. Në fjalën e tij, ai vuri në dukje edhe rëndësinë e diasporës shqiptare, e cila sipas tij përfaqëson një histori sakrifice, qëndrese dhe suksesi. Ai bëri të ditur se në Samit marrin pjesë përfaqësues nga 38 vende të botës, duke e kthyer Tiranën në një “shtëpi të përbashkët” për shqiptarët kudo që ndodhen. Ministri theksoi se marrëdhënia me diasporën nuk është më një rrugë me një drejtim, por një lidhje e ndërsjellë që kërkon kujdes, vëmendje dhe dëgjim të vazhdueshëm.